/Domethënia e Mëkatit Fillestar – Pasojat dhe Shkaqet e Mëkatit Fillestar

Domethënia e Mëkatit Fillestar – Pasojat dhe Shkaqet e Mëkatit Fillestar

Domethënia e mëkatit fillestar

Kështu njeriu mëkatoi, dhe për shkak se ai mëkatoi ai ra. Ai kreu mëkatin fillestar. Por cila është domethënia dhe kuptimi më i thellë i mëkatit fillestar? Është refuzimi dhe largimi nga Perëndia; është kthimi i njeriut drejt vetvetes; një egoizëm i pakontrolluar dhe i frikshëm. Shkelja dhe rënia e njeriut ishte një përpjekje për të larguar kujdestarinë e Perëndisë, një përpjekje për tu çliruar nga varësia tek Perëndia. Duke dëgjuar Djallin dhe duke vepruar siç i sugjeroi ai, njeriu paraqitet si t’i thoshte Perëndisë: Nuk kam nevojë për Ty. Do të jetoj sipas mënyrës sime dhe të jem i pavarur. Nuk kam nevojë për udhëheqjen dhe mbrojtjen Tënde. Jam vet në gjendje të jetoj dhe të bëj gjëra të mëdha. Nuk më duhesh më! Ose si mëkatari që shfaqet tek Profetit Isaia duke thënë me një egoizëm të papërshkrueshëm për Perëndinë: “Largohu prej meje; nuk dëshiroj aspak t’i njoh udhët e Tua” (Jobi 21: 14). Kështu që mëkati fillestar ishte mosbesimi në Perëndinë dhe besimi në veten, në egon e tij, dhe në Djallin. Ishte rebelim egoist ndaj Madhështisë Hyjnore. Ishte mosmirënjohja drejt Krijuesit dhe Atit mirëdashës. Ishte revoltë dhe rebelim ndaj Perëndisë së Gjithëpushtetshëm. Së fundi, ishte përbuzje, fyerje dhe blasfemi ndaj Mbretit të Tërëshenjtë dhe Qiellor. Kjo është domethënia dhe kuptimi më i thellë i mëkatit fillestar. Ishe një e keqe sa e madhe po aq e ndërlikuar. Ishte shtrembërimi i njeriut dhe refuzimi i Perëndisë. Kjo është edhe arsyeja përse njeriu ra kaq poshtë. Ai ra, dhe rënia e tij ishte me të vërtetë jashtëzakonisht e madhe.

 Pasojat dhe shkaqet e mëkatit fillestar.

Rënia e Adamit ishte e madhe dhe e frikshme, dhe ishte e tillë, për shkak se ishte e lehtë, jashtëzakonisht e lehtë për të t’i bindej Urdhëresës Hyjnore dhe të mos mëkatonte. Madhësia e shkeljes së njeriut mund të shihet në pasojat e frikshme dhe rezultat shkatërruese që pasuan. Dhe cilat janë këto pasoja, mund të pyes dikush. Si fillim mund të themi se këto janë dënimi dhe gjykimi i Perëndisë për njeriun sipas paralajmërimit që Perëndia i kishte dhënë: “sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:7). Edhe kjo vdekje ishte së pari dhe kryesisht vdekje shpirtërore, ndarje nga Perëndia, shkëputje e plotë nga Ai, nga njohja dhe dashuria e Tij. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër kemi vuajtjet dhe dhimbjet e frikshme që solli kjo shkëputje dhe që e përmbante kjo vdekje shpirtërore. Kështu që pasojat e Mëkatit Fillestar janë:

Vdekja shpirtërore – ndarja dhe largimi i plotë i njeriut nga Perëndia, dhe prishja prej tij e plotë e të gjithë ndershmërisë dhe mirësisë; rrënimi i shpirtit të virtytit dhe shenjtërisë dhe ndarja e jetës nga gëzimi, paqja dhe qetësia, sepse Perëndia është burimi dhe dhuruesi i të gjitha mirësive shpirtërore dhe të gjitha këto shijohen nga ata që janë të bashkuar me Perëndinë.  Njeriu u largua prej burimit të mirësisë. Ky burim u shter për të, dhe ai mbeti shterp (djerr) dhe u privua nga çdo gjë e mirë, prej virtytit, dashurisë dhe paqes.

Vdekja fizike  – Vdekja fizike nuk erdhi menjëherë pas rënies së njeriut, por mbas shumë vitesh. Pikërisht atëherë njeriu shijoi vdekjen fizike në agoni dhe neveri. Në Rrëfimin Orthodhoks të Petro Mogilës shkruhet: “Sapo njeriu mëkatoi me anë të shkeljes së tij, atje në Parajsë, ai u vesh me gjendjen e mëkatit dhe u bë i vdekshëm dhe i korruptueshëm, siç na thotë dhe Shkrimi i Shenjtë: “paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23)”. Fillimisht erdhi vdekja shpirtërore dhe më pas vdekja fizike; ndarja e shpirtit nga trupi dhe prishja e trupit.

Errësimi i mendjes dhe shthurja dhe prishja e zemrës – ndryshimi dhe shtrembërimi i imazhit hyjnor, “sipas shëmbëlltyrës”, që Perëndia ia dhuroi njeriut si karizmën (dhunti shpirtërore) e Tij të parë dhe kryesore. Dhe ndërsa imazhi hyjnor nuk u zhduk tërësisht te njeriu, ai u errësua deri në atë shkallë saqë mendja e tij nuk ishte më e aftë të bënte dallimin me lehtësi ndërmjet të mirës dhe të keqes, por shpesh i ngatërronte të dyja. Për më tepër, një e keqe tjetër e madhe ndodhi: Zemra e njeriut u korruptua dhe u bë e keqe saqë njeriu dëshiron gjërat e këqija dhe i shijon ato. Së treti, vullneti i njeriut u lëkund kështu që me zemrën e tij të keqe me mendjen e errësuar tashmë ai priret drejt së keqes dhe gjërave të këqija. Ai vëren brenda vetes ekzistencën e një prirjeje dhe një tendencë të pafrenueshme (të papërballueshme) drejt së keqes dhe mëkatit. Prishja e natyrës njerëzore përshkruhet nga Dhiata e Vjetër me vet fjalët e Zotit: “Synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij” (Zanafilla 8:21), ndërsa Shën Pavli në Dhiatën e Re e përshkruan këtë betejë tragjike ndërmjet së mirës dhe së keqes brenda njeriut të vjetër, mëkatar, dhe tiraninë dhe nënshtrimin e frikshëm që pëson njeriu që jeton dhe mbetet nën thundrën e mëkatin: “Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua atë bëj. Edhe në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua. Unë pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua. Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? “ (Romakëve 7: 18-24).  

Faji – Mëkati fillestar që solli prishjen e njeriut solli gjithashtu veprimin e fajshëm të tij. Njeriu, nëpërmjet shkeljes së tij, u bë fajtor para Perëndisë si një shkelës i urdhëresës hyjnore, fajtor dhe i akuzuar para drejtësisë së Perëndi Ligjdhënësit. Shkelja mbarte veprimin fajtor brenda saj. Të dyja ndodhën në mënyrë të menjëhershme. Sapo ai bëri shkeljen ai kuptoi fajin brenda tij. Ndërgjegjja e tij gjëmoi duke i thënë: “Njeri mëkatar, je fajtor dhe je i akuzuar përpara Perëndisë”. Ishte kjo ndjesi e mëkatit që bëri çiftin e parë të kuptonin se ata ishin lakuriq, dhe nxituan të fshiheshin para fytyrës së Perëndisë. Kështu, aty ku gjendet mëkati, ekziston dhe faji gjithashtu. Mëkati që bëri Adami në Parajsë nuk rezultoi vetëm në shthurjen dhe perversionin moral të njeriut. Ai futi gjithashtu veprimin fajtor dhe më pas vendimin dhe dënimin prej Perëndisë. Kjo kuptohet nga të gjithë ata që mëkatojnë. Në mënyrë të menjëhershme fillon brejtja e ndërgjegjes: një provë dhe një konfirmim i qartë i veprimit mëkatar. Dhe si pasojë e veprimit mëkatar vjen gjykimi dhe ndëshkimi. Dhe kjo është faza e fundit e mëkatit që ka lidhje me trupin. Njeriu u krijua nga balta dhe në baltë do të shkojë. Perëndia e tha këtë kur Ai mori vendimin për Adamin: “do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh” (Zanafilla 3:19).