/Doli në qarkullim libri “Historia e Ikonave”

Doli në qarkullim libri “Historia e Ikonave”

Historia e Ikonave të Shenjta është një histori nxitëse, emocionuese dhe magjepsëse. Është një histori e mbushur me dashuri për besimin, me mistere të thella dhe të vështira për t’u kuptuar, me mashtrime, grindje, intriga dhe, në fund, me paqe. Ikonat do të na shoqërojnë që nga koha e apostujve dhe e të krishterëve të parë deri në ditët e sotme.

Ikonat e Kishës Orthodhokse janë pjesë e saj shumë e çmuar. Janë kaq të rëndësishme, sa dhe Sinodi i Shtatë Ekumenik mbrojti zyrtarisht nderimin e tyre në Kishë. Ai deklaroi se ikonat meritojnë të njëjtin respekt e nderim si Kryqi dhe Shkrimi i Shenjtë. Dhe, sikurse Kryqi dhe Shkrimi i Shenjtë konsiderohen të shenjtë, po ashtu konsiderohen edhe ikonat.

Shumë njerëz tregojnë respekt e nderim për ikonat, por nuk i kuptojnë ato. Madje, nuk dinë as qëllimin e tyre. Kjo ka çuar në përdorimin jo të drejtë të ikonave të shenjta. Për shembull, në disa shtëpi orthodhokse ikonat varen nëpër mure thjesht si zbukurim. Edhe pse ia shtojnë bukurinë shtëpisë sonë, ikonat janë bërë për t’u vendosur në vende ku i lutemi Perëndisë. Është mirë që përpara një ikone të vendoset edhe një qiri ose kandil. Ikona dhe drita na kujtojnë praninë e Perëndisë në shtëpi.

Një tjetër shembull i përdorimit jo të drejtë të ikonave është blerja e tyre nga disa njerëz thjesht për investim financiar. Shumë ikona, veçanërisht të vjetrat, janë të kushtueshme. Sikurse çdo send i çmuar, edhe ikonat duhet të trajtohen me kujdes. Ka edhe shumë njerëz të mirë, të cilët blejnë ikona dhe ua shesin kishave dhe atyre që dëshirojnë t’i dhurojnë ose t’i përdorin në këndin e lutjes në shtëpi. Megjithatë, blerja dhe shitja e ikonave vetëm për qëllim fitimi nuk tregon nderimin dhe respektin e duhur që u duhet dhënë atyre.

Disa njerëz thonë se është e vështirë t’i kuptosh ikonat. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Për të ditur dhe njohur kuptimin e vërtetë të ikonës, le të shikojmë fillesat e saj. Historia e tyre fillon pikërisht me të krishterët e parë.

* * * * * *

Si u shfaqën ikonat? Pse kemi ikona në Kishë? Pse ato i pikturojmë kaq ndryshe nga pikturat e tjera? Çfarë na tregon një ikonë?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, libri “Historia e Ikonave” është një ndihmesë e shkëlqyer për të kuptuar ikonat në Kishë, si dhe rolin që ato luajnë në adhurim. Autorja Mary Paloumpis Hallick na paraqet historinë e ikonave, nga katakombet deri te lufta e ikonoklastëve dhe triumfi i ikonave, i cili u shpall të Dielën e Orthodhoksisë. Gjithashtu ajo shpjegon përse ikonat paraqiten në këtë mënyrë, siç i shohim. Pjesa e dytë e librit u kushtohet ikonave për të kremtet e Krishtit dhe të së Tërëshenjtës, duke na mësuar si t’i “lexojmë” dhe si të kuptojmë ngjarjet që na paraqiten në to.

Mary Paloumpis Hallick, Ed.D. ka qenë mësuese dhe drejtoreshë në shkollën fillore. Ajo është autore e librit “Libri i Shenjtorëve” dhe bashkautore e librit “Të mbjellim fara për Krishtin”. Ka qenë anëtare e Komisionit për Kurrikulat e Departamentit të Edukimit të Krishterë në SHBA, i cili zhvilloi serinë e teksteve të Living our Orthodox Faith.