/Dita e Halloween-it një tallje nga demonët

Dita e Halloween-it një tallje nga demonët

Nga Miron Çako*

Dita e halloween-it që fillon nga mbrëmja e 31 tetor duke u gdhirë 1 nëntor është një festë me origjinë pagane nga populli Kelt 600 vjet pr.K. Këta njerëz me një fe natyraliste ose druidët besonin se në ditën e fundit të vitit të vjetër edhe fillimit të vitit të ri sipas kalendarit Kelt, Sanhai zoti i vdekjes mblidhte shpirtrat e të vdekurve për gjatë 12 muajve të vitit edhe mbasi u bëhej falja e mëkateve i çonte në parajsën kelte.

Shpirtrat e të vdekurve të cilët nuk hynin në parajsë endeshin si fantazma edhe kërkonin të hynin në shtëpitë edhe në trupat e të gjallëve. Për t’i trembur këto shpirtra fantazma, keltët ndiznin zjarre në arat edhe shtëpitë e tyre, po ashtu visheshin në mënyrë të frikshme.

Në shekullin VII, Keltët u krishterizuan dhe u bënë përpjekje nga Kisha në perëndim, që festa pagane e shpirtrave të transformohej në një festë të krishtere sipas doktrinës së Kishës në lidhje me shpirtin pas vdekjes. Sipas doktrinës së krishterë shpirtrat e të vdekurve nuk enden sa andej këtej midis të gjallëve edhe vdekurve, siç besonin keltët, por mbas vdekjes janë të gjykuar sipas besimit dhe veprave nga Zoti dhe mbas një gjykimi paraprak janë vendosur në parajsë ose ferr dhe aty presin gjykimin përfundimtar në ardhjen e dytë të Krishtit, ditën e fundit të botës. Sipas mësimit të Kishës fantazmat nuk ekzistojnë, por ato janë mashtrime demonësh për të trembur edhe ngatërruar njerëzit. Dita e shpirtrave të Keltëve u quajt All-Hallows-Day (Dita e gjithë Shenjtorëve). Termi Halloween vjen nga shekulli i XV ps K dhe është një variacion i shkurtuar i “ All-Hallows-Even” (Vigjilja e Gjithë Shenjtorëve).

Në këtë ditë të krishterët irlandez luteshin për shpirtrat e të vdekurve edhe nderonin kujtimin e tyre.

Por në shekullin XIX kur irlandezët, pasardhësit e keltëve emigruan në Amerikën e Veriut, sollën me vete traditën e Halloween-it dhe rizgjimin e traditave edhe ritualeve pagane për këtë festë. Më vonë kjo festë erdhi në Europë edhe sot është kthyer një festë tërësisht pagane, komerciale me shpenzime marramendëse; vetëm në Amerikë harxhohen mbi shtatë miliard dollarë. Performanca e festës me aksesorët si kungulli, macja e zezë, merimanga,shtriga me fshesë, etj, po ashtu edhe kostumet e njerëzve me dizajne të shëmtuara si vampirë, vampire seksi, pirat, drakula, Batman, Spidermen, etj sëbashku me maska të shëmtuara, të frikshme, lënë një shije të keqe horrori, sikur janë hapur dyert e ferrit.

Shumë njerëz të cilët e festojnë këtë festë nëpër botë, por edhe në vendin tonë mbas viteve 90,duke qënë nën efektin e turmës nuk e kanë fare idenë pse festohet kjo ditë edhe çfarë qëllimi ka që vishen edhe argëtohen në këtë mënyrë të frikshme, madje bashkë me fëmijët, të cilët kanë një botë shpirtërore të brishtë edhe duhet të vishen me gjëra të bukura dhe të argëtohen me gjëra të gëzuara.

Festa e halloween-it kështu si është shpërfytyruar nuk ka asnjë lidhje me All-Hallows-Day (Dita e gjithë Shenjtorëve), ajo në të vërtet nuk është as një festë normale për argëtim si karnavalet, por përkundrazi e dëmshme dhenë rrallë të parë fyese për dinjitetin njerëzor, sepse të gjallët tallen dhe argëtohen më të vdekurit,të cilët duhet t’i nderojmë edhe të lutemi për ta,po ashtu edhe të gjallët tallen edhe shpërfytyrojnë vetveten me pamje të frikshme sikur dalin nga ferri demoniak, por mbi të gjitha në këtë ditë kush me dije ose pa dije, e lejojnë veten të tallet nga demonët, të cilët janë armiqtë më të ligj të njerëzve.

Për keltët paganë kjo tallje demoniake mund të ishte e justifikuar, sepse ishin të paditur për mënyrën se si funksionojnë fenomenet natyrore, po ashtu edhe në lidhje me lëvizjet e shpirtrave të të vdekurve, por sot kur shkencat natyrore na kanë sqaruar për ligjet e natyrës dhe shkenca e teologjisë për lëvizjet e shpirtrave dhe vendndodhjen e tyre, kjo ditë për ata që e festojnë është vërtet një marrëzi, një demonizim kolektiv.

Shumë njerëz që festojnë halloween-in thonë se festojmë thjesht për argëtim, si karnavale, “ne nuk besojnë tek fantazmat apo demonët sepse nuk i shohim,” por ky argument nuk e përligj justifikimin e tyre. Kemi shumë gjëra rreth nesh që nuk i shohim me sytë tanë fizik, por ekzistojnë nga gjurmët e veprimeve të tyre, si psh: era,valët elektromagnetike, ose energjitë e shpirtit si dashuria, urrejtja, mëshira. Kështu është edhe me demonët, atë vërtet janë të padukshëm sepse janë shpirtra me trup eterik (ajror), por bëhen të dukshëm nëpërmjet veprimeve e tyre të liga kundër njerëzve,kafshëve edhe natyrës. Ky argëtim me fantazmat, demonët është tregues i botës së brendshme të njerëzve edhe njerëzit i bëjnë këto sepse i besojnë dhe i duan.

Që nga koha e lashtë njerëzit i kanë besuar demonët, psh: babolinezët kishin një demonologji të ndërlikuar, ata praktikonin rituale magjike për të thirrur, ose larguar demonët,këto rituale ishin edhe një pjesë përbërëse e mjekësisë alternative, sepse çdo sëmundje mendohej se vinte nga një shpirt i lig.

Por se kush janë demonët me të vërtetë, na i zbulon Bibla. Shkrimi i Shenjtë na mëson se përveç shpirtrave engjëllor të krijuar që i shërbejnë vullnetit të Perëndisë të quajtur engjëjt e shenjtë, ka gjithashtu shpirtra engjëllor që u rebeluan kundër Perëndisëbashkë me kryeëngjëllin Eusforin (Satanin), i cili për krenarinë e tij u rrëzua nga qielli së bashku me engjëjt rebel, të cilët u quajtën demon, ose të ndarët, për ata u krijua ferri i përjetshëm. Djalli edhe demonët urrejnë Perëndinë edhe çdo krijesë së tij veçanërisht njerëzit, që janë të krijuar sipas ikonës së Perëndisë edhe duan që ashtu si ata të cilët mundohen në ferr, të mundohen edhe njerëzit duke i ndarë përjetësisht nga Perëndia e dashurisë. Demonët janë shpirtëra të papastër, që lanë vendet qiellore dhe karakterizohen nga krenaria, urrejtja, ligësia dhe epshi.

Paganët duke mos patur njohuri të vërtet se kush janë demonët, i besonin ata si “perëndi” dhe nga frika përpiqeshin t’i merrnin me të mirë duke u ndërtuar tempuj, statuja, duke iu falur me flijime kafshësh edhe njerëzish, deri tek fëmijët e tyre.

Kjo ishte shumë e gabuar, ashtu si psalmisti David 1000 vjet pr. K thotë: “Gjithë perënditë e kombeve janë idhuj (demon)”(Psalmi: 96 5) Kurse profeti Isaia 700 vjet pr.K thotë po ashtu për “perënditë” dhe tempujt e paganëve: “Por aty do të pushojë bishat e shkretëtirës, shtëpitë e tyre do të mbushen me kukuvajka…do të hedhin valle satirët (cjapi simboli i djallit).”(Isaia 13 -21)

Jisu Krishti Biri i Perëndisë –Biri i njeriut, erdhi në tokë për të prishur punët e djallit, demonëve edhe i mundi ata në territorin e tyre. Krishti si Perëndi i urdhëronte demonët të dalin nga njerëzit që i mundonin. Këtë pushtet Ai u dha edhe njerëzve,nxënësve të tij: “Pastaj ai i thirri te vetja të dymbëdhjetët dhe filloi t`i dërgojë dy nga dy; dhe u dha pushtet mbi frymët e ndyra.”(Marku 6:7)

Të gjithë ata që besojnë në Zotin duhet të jenë të ndërgjegjshëm për këtë luftë shpirtërore,ashtu si Pavli thotë: “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.” (Efesianve 6:11-12)

Nuk ka një rrugë të mesme,njerëzit ose janë me Zotin, ose me djallin edhe demonët,ose do t’i shërbejnë njërit ose tjetrit. Duhet të kuptojmë se djalli dhe demonët nuk i tundojnë njerëzit haptas, sepse atëherë njerëzit do ti njohin edhe do të reagojnë,por për t’i mashtruar u shfaqet herë si shpirtra e të vdekurve (fantazma) herë si engjëll drite që njerëzit ti adhurojnë ashtu siç bënin me keltët, apo paganet.

Pavarësisht se ky brez është gjithnjë e më shumë indiferent ndaj gjërave të Zotit, duke jetuar në apostazi, vihet re se ka një dëshirë të papërmbajtur për dije akulte, ose festime pagane me bestytni edhe argëtim pa moral, ashtu si thotë edhe apostull Pavli: “Fryma thotë qartë se në kohën e fundit disa do të mohojnë besimin,duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve” (1 Timotheu 4: 1-2)

Prandaj halloween-i si festë pagane është një tallje edhe një bashkim me demonët edhe kjo nuk duhet të merret kaq lehtë apo si argëtim,sepse përsëri apostull Petro thotë: “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.” (1 Pjetrit 5:8-9)

Për ta ilustruar atë që thamë më sipër, po ju tregoj këtë ngjarje që më ka ndodhur personalisht, nuk ju gënjej Zotin kam dëshmitar. “Ditën e halloween-it në derën e shtëpisë erdhën fëmijë të shpërfytyruar që thërrisnin: Trick or Treat. Në derën e shtëpisë kam një kryq. Mbrapa derës dëgjova këto fjalë: “Shiko këtu ka kryq, unë kam shumë frik që të trokas”.

O njerëz, nga kryqi ka frikë vetë djalli edhe demonët.

Mos i demonizoni fëmijët që janë si engjëjt.

Kush ka vesh për të dëgjuar le të dëgjoj.

*Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit pranë Kryepiskopatës, KOASH.