/Disa mësime nga Shën Grigor Pallamai – nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla.

Disa mësime nga Shën Grigor Pallamai – nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla.

Si mund ta shohim Perëndinë”?

Disa mësime nga Shën Grigor Pallamai.
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla.
E diela e dytë e Kreshmëve të Mëdha, data 12/03/2023.
Të gjithë ne, të dashur besimtarë, jemi në një udhëtim, e kemi thënë shumë herë këtë gjë, jemi në një udhëtim, që të mbërrijmë tek shtëpia e Atit Qiellor. Edhe vetë kreshma, të cilën ne e kemi filluar tashmë, është një mjet për të arritur këtë qëllim, për të arritur të takojmë Perëndinë. Shumë nga ne, por edhe tek shumë të krishterë para nesh ka lindur pyetja: Me të vërtetë kam këtë qëllim, destinacion, por a do ta shoh dot Perëndinë?
Shën Grigor Pallamai thotë: “Po ne mund ta shohim Perëndinë, ne mund ta shohim Perëndinë nëse jetojmë me pendim dhe përulësi, dhe nëse jetojmë brenda jetës së mistershme të kishës”. Shën Grigor Pallamai, Kisha e ka vendosur të kremtohet të Dielën e dytë të Kreshmëve të Mëdha, për të na thënë që, jo vetëm kemi sigurinë që besimi ynë është i vërtetë, por që me besimin tonë, siç na tregohet nëpërmjet mësimeve të Shën Grigor Pallamait, por edhe të etërve të mëparshëm, përmbushim qëllimin tonë, që të takojmë Perëndinë.
Shën Grigor Pallamai lindi në vitin 1296 në Kostandinopojë dhe fjeti në vitin 1359 kur ishte tashmë si Kryepeshkop i Selanikut. Në eksperiencën e tij shpirtërore, kishte jetuar për shumë vite në Malin e Shenjtë, por edhe nga eksperienca e shumë njerëzve të shenjtë në Malin e Shenjtë, por edhe gjithë jetës së tij ai na jep pikërisht këtë mësim: “Nëse jetojmë brenda jetës së mistershme të kishës ne do të takojmë Perëndinë”.
Dua sot, të dashur besimtarë të përmend disa nga mësimet të cilat janë aq të thjeshta, por edhe aq të bukura të Shën Grigor Pallamait, disa mësime rreth Perëndisë, ne njerëzve dhe shpëtimit tonë. Çfarë thotë Shën Grigor Pallamai mbi Perëndinë? – “Perëndia është e vërteta dhe e mira absolute dhe burim i çdo lloj mirësie. Perëndia nuk mund të përshkruhet me llogjikën tonë as mund të kuptohet nga njeriu. Për këtë arsye Biri i Perëndisë bëhet njeri që ne ta njohim nga Ai të Vërtetën e Perëndisë. Krishti na tregoi Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Krishti na tregoi që nga Ati kanë ekzistencën edhe Biri edhe Shpirti i Shenjtë. Dhe ndërmjet këtyre tre personave ka një komunikim dashurie”.
Mbi njeriun shenjtori na thotë: “Njeriu në dallim nga të gjitha gjallesat tokësore dhe qiellore është i vetmi që u krijua sipas ikonës së Krijuesit, që të shoh Atë, të dojë Atë dhe Atë të adhuroj”.
Dhe Shën Grigori është i veçantë në mësimin e tij që na jep mbi energjitë e pakrijuara. Në bazë të këtij mësimi ne kuptojmë si mund ta takojmë dhe shijojmë Perëndinë. Thotë shenjtori: “Perëndia nuk mund të njihet në esencën e Tij, por njeriu mund të jetë në kungim me energjitë e Perëndisë. Këto energji të Perëndisë janë të pakrijuara edhe janë prej esencës së Perëndisë”. Ndaj ne themi që mund të shohim Perëndinë, derisa kemi mundësinë që ne të kungohemi, të jemi në kungim me këto energji të pakrijuara që burojnë, janë prej esencës së Perëndisë do të thotë që ne shijojmë Perëndinë. Thotë shenjtori: “Ashtu si dielli jep pakursyer dritën dhe ngrohtësinë tek ai që i drejtohet rrezeve, kështu edhe energjitë e Perëndisë jepen tek njeriu që dëshiron të jetë në kungim me Perëndinë”. Duhet ta dëshirojmë ne që Zoti të na japë këtë kungim me energjitë e Tij, ashtu si thamë që të shijojmë rrezet e diellit duhet të dalim në diell, të kthehemi me fytyrë nga dielli, të shijojmë dritën dhe ngrohtësinë e diellit. Kështu edhe ne duhet ta dëshirojmë kungimin me Perëndinë që ne ta shijojmë këtë kungim.
Shenjtori na tregon se cila është rrënja e së mirës dhe rrënja e së keqes. Thotë: ”Rrënja e së mirës dhe çdo lloj virtyti tjetër buron nga dashuria për Perëndinë”. Nëse nuk kemi këtë dashuri, të gjitha ato që bëjmë në jetën tonë mund t’i japim emërtime të ndryshme, por nuk janë vepra më Perëndinë. Quhen vepra të Perëndisë kur ato kanë burimin e tyre nga dashuria për Perëndinë. Për rrënjën e së keqes shenjtori thotë: “Shkaku i gjithë të këqijave është përdorimi i keq i lirisë sonë. Nëse themi, se sot bota ndodhet nën sundimin e Djallit është për shkak të keqpërdorimit të lirisë sonë”. “Sa nuk çlirojnë veten e tyre me pendimin e Rrëfimit zgjedhin me preferencën e tyre të jenë në pushtetin e djallit”. Ne zgjedhim vetë, ne i japim pushtet djallit dhe veten tonë, ne japim pushtet djallit në jetën tonë, në familjen tonë, në shoqërinë tonë. “Ne me lirinë tonë përcaktojmë pushtetin e të ligut në jetën tonë dhe shoqërinë tonë, ndërsa ne që jemi të bashkuar me Krishtin le të dëshirojmë botën qiellore, Mbretërinë e Krishtit” thotë shenjtori. Edhe vazhdon; “Me vepra të mira le të tregojmë se në dëshirën tonë kemi dorëzuar veten tonë në duart e Perëndisë”.
Edhe duke e mbyllur, të dashur besimtarë, vazhdon shenjtori të thotë se duke përdorur drejtë të mirat e krijimit, sepse shpeshherë ne themi pasuria ime, toka ime, fëmijët e mi e shumë gjëra të tjera. Shenjtori theskon, se “duke përdorur drejtë të mirat e krijimit që janë dhuratë e Perëndisë do të jetojmë duke parashijuar gëzimin e vërtetë, do ta shijojmë tani këtë gëzim të vërtetë, por njëkohësisht të jemi të sigurt se do të shijojmë të mirat e përjetshme në kohën kur Perëndia do të na thërras pranë Tij”.
Amin!