/Çfarë ndodhi me dy kryqet e kusarëve që u kryqëzuan bashkë me Zotin tonë

Çfarë ndodhi me dy kryqet e kusarëve që u kryqëzuan bashkë me Zotin tonë

Ҫfarë mund të themi për kryqet e dy kusarëve që u kryqëzuan së bashku me Krishtin?

Sipas historianëve të krishterë të kohërave të hershme, kryqet e dy kusarëve u zbuluan në të njëjtën kohë bashkë me kryqin e Zotit Krisht, nga shën Elena. Disa prej tyre thonë se Kryqi i Krishtit dallohej nga dy të tjerët për shkak të mbishkrimit që gjendej mbi të, të cilin sipas ushtarët romakë e varën në dru (sipas urdhrit të Pont Pilatit) mbi kryet e Jisuit, ku shkruhej “Jisu Krishti, mbreti i Judenjve”. Të tjerë historianë thonë se kur u zbuluan kryqet, mbishkrimi ishte hedhur tej dhe nuk u gjend më, por kryqi i Zotit u dallua nga dy të tjerët për shkak të një a dy mrekullive që ndodhën.  Sipas një burimi, kur e vunë mbi kryqin një person që kishte vdekur, ai erdhi përsëri në jetë, ndërsa sipas një tjetër burimi, një zonjë e pasur që banonte në Jerusalem, e cila vuante nga një sëmundje e pashërueshme, u shërua sapo preku kryqin e Zotit Krisht.

Megjithëse Kryqi i Jisuit qëndron shumë më lart se dy të tjerët, këta të fundit nuk cilësohen si inferiorë apo të lënë mënjanë. Përkundrazi, vlerësohen si relike të çmuara të ngjarjeve të Pësimit të Zotit, pasi teksa qëndronte mbi Kryq, Jisui u tall nga njëri kusar, ndërsa tjetri, me anë të besimit të tij, hyri bashkë me Krishtin në Parajsë. Prandaj, këto dy kryqe u prunë në Kostandinopojë dhe u vendosën në kolonën kryesore në qendër të qytetit, mbi të cilën ishte ngritur një statujë e Perandorit. Aty ishin vendosur edhe relike të tjera, si një pjesë e kryqit Jetëdhënës, gozhdët që i ngulën Krishtit, shportat e bukëve që u shumëfishuan, një enë me vaj të shenjtë, me të cilën lyen dikur këmbët e Zotit Krisht, pjesën e drunjtë të sëpatës së Noes, shkëmbin nga i cili buroi ujë me urdhër të Moisiut etj. Për këtë arsye, ky vend konsiderohej i shenjtë nga populli i atëhershëm.

Burimi: https://www.johnsanidopoulos.com/2019/09/what-happened-to-two-crosses-of-thieves.html?utm_source=feedburner&utm_medium=feed&utm_campaign=Feed:+Mystagogy+(MYSTAGOGY)&m=1