Feja
Miliarda njerëz që kanë jetuar në tokë dhe ata që jetojnë tani kanë shumë ndryshime. Disa janë të zinj disa janë të bardhë; disa të tjerë janë lëkurëkuq. Disa janë më të qytetëruar se të tjerët; ende disa të tjerë janë tërësisht barbar. Disa janë më inteligjent se të tjerët. Gjuhët e folura nga disa popuj janë më komplekse sesa ato të folura nga popujt e tjerë. Por megjithëse në gjëra të tilla ekziston një spektër i gjerë ndryshimesh midis popujve të ndryshëm të tokës, pa përjashtim, përputhen në një gjë – fenë.
Të gjithë njerëzit e bazojnë fenë në ekzistencën e një Qenie më të Lartë tek i cili janë të varur dhe ndaj të cilit ata përpiqen të mbajnë lidhje me anë të ceremonive të ndryshme adhuruese, me anë të lutjeve, theroreve, kreshmës etj, për të siguruar mbrojtjen dhe mirëdashjen e tij. Ky orientim i njeriut drejt Qenies më të lartë, drejt Perëndisë, dhe lidhjes me Perëndinë me anë të adhurimit përbën fenë.
Por le të përpiqemi të ekzaminojmë dhe përkufizojmë fenë.
1) Çfarë është feja?
Feja është marrëdhënia e ngushtë dhe e gjallë, lidhja e njeriut me Perëndinë dhe varësia ndaj Tij. Është një respekt i thellë, një frikë e shenjtë, që dikush ndjen përpara të Gjithëpushtetshmit, dhe një tërheqje e fortë tek Ai. Për ta thënë më thjeshtë, feja është kthimi dhe përkushtimi i njeriut tek Perëndia, me anë të cilit njeriu ndjen dhe pohon se pa Perëndinë ai nuk mund të jetojë, nuk mund të jetë i lumtur, nuk mund të ndjehet i kënaqur ose të gjejë paqe.
Por le ta analizojmë më tej:
Logjika e njeriut, e cila kërkon të zbulojë arsyen për ekzistencën e botës, detyrohet të pranojë dhe të pohojë se Perëndia është krijuesi i saj. Dëshira e brendshme e njeriut për të shijuar lumturinë e përjetshme kërkon burimin e pashtershëm dhe e gjen atë në Perëndinë, I Cili është i pafund dhe i përsosur. Dhe kur ndërgjegjja e njeriut shkakton një trazirë të brendshme, ai ndjen se ka shkelur jo vetëm ligjin moral që ekziston që në lindje brenda tij, por gjithashtu ligjin e dhënë nga Perëndia; kështu ai përpiqet me çdo mënyrë të paqësoj dhe të fashit zemërimin e Tij. Në këtë mënyrë, të gjithë njerëzit, të qytetëruar ose jo, pranojnë ekzistencën e Perëndisë,
i Cili është i padukshëm dhe kudo i pranishëm.
Ideja e Perëndisë – pavarësisht se sa e pandriçuar ose e paplotë mund të jetë ndër idhujtarët dhe jo – të Krishterët, ose sa e madhërishme ose dhe e mistershme mund të jetë ndër të Krishterët – strukturon shpirtin që i jep jetë racës njerëzorë nëpërmjet besimit tek Ai, ashtu si trupi i njeriut merr jetë me anë të ngrohtësisë së zemrës dhe gjakut që qarkullon nëpër damarët e tij.
Ashtu si asnjë organizëm i gjallë nuk mund të ekzistojë pa pasur zemër, po kështu asnjë njeri nuk mund të ekzistojë pa besim te Perëndia, pa fe. Sigurisht që ne të Krishterët kemi një pozitë të veçantë dhe të privilegjuar për sa i takon fesë, sepse ne besojmë në Perëndinë e vetme, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Profeti David është një shembull i gjallë i asaj çfarë shprehim: “Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vi dhe do të paraqitem para Perëndisë?”. Këto fjalë të Profetit tregojnë se feja është një dëshirë e thellë dhe e fortë; dëshira e njeriut për Perëndinë. Ajo është etja e pafund dhe e pashuar e shpirtit të njeriut për Krijuesin e tij. Është dëshira e fortë imponuese, e brendshme e njeriut për të komunikuar, për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë në jetën e tij, me Perëndinë Atin Qiellor, dhe për të kërkuar prej Tij zgjidhje të problemeve të Tij. I bekuari Agustin, duke iu drejtuar Perëndisë, thotë diçka të ngjashme me atë thënie të Profetit David: “O Perëndi, Ti na krijove për Vete, dhe shpirtrat tanë nuk do të gjejnë çlodhje derisa të prehen tek Ti”. Me këto fjalë Shën Agustini tregon dhe nënvizon besimin e thellë të shpirtit të tij.
2. Nga buron feja?
Kush është burimi dhe rrënja e kësaj tendence dhe këtij fenomeni që ne e quajmë Fe?
Kjo pyetje është e natyrshme që mund të ngrihet prej kujtdo. Ja tek po sjellim përgjigjen e kësaj pyetje:
Ndjenjat dhe emocionet fetare janë të lindura tek njeriu, të mbjella në shpirtin e tij, nga një Fuqi më e Lartë dhe e përjetshme. Me fjalë të tjera, është diçka natyrale tek ai, e rrënjosur thellë brenda tij dhe që nuk mund të shkulet kurrë. Askush dhe asgjë nuk mund ta shkul atë prej njeriut, ta shkatërrojë ose ta bëjë njeriun jofetar. Duhet të theksojmë se feja është po aq e hershme sa edhe vet njeriu. Që në momentin që njeriu u shfaq në tokë, ai menjëherë zbuloi fenë e tij. Shikimi i tij i parë ishte drejt Perëndisë, kërkimi i tij i parë ishte për Perëndinë. Veprimi dhe shprehja e tij e parë ishin fetare në natyrë. Ai menjëherë iu drejtua Perëndisë me lutje për të kënaqur dëshirat e tij dhe për të gjetur prehje tek Ai. Prandaj themi – më tepër detyrohemi të themi: se ndjesia fetare është rrënjosur tek Ai nga Perëndia. Perëndia, kur krijoi njeriun, vendosi këtë emocion fetar tek ai dhe i dhuroi këtij emocioni një prej shtysave më të forta dhe më detyruese të të gjitha shtysave.
Rezultati është se njeriu shfaqet përgjatë gjithë manifestimeve të jetës së tij, si një qenie krejtësisht fetare. Për ta kuptuar më mirë, nxjerrim në pah se në shpirtin e njeriut – ideja, mendimi dhe emri i Perëndisë janë mbizotëruese; njeriu e shpreh këtë ide të tij nëpërmjet lutjes, adhurimit dhe ofrimeve që i bën Perëndisë me anë zotimesh dhe theroresh, me anë të bindjes dhe nënshtrimit ndaj Tij, dhe ndaj vullnetit të Tij. Të gjitha këto gjëra provojnë dhe dëshmojnë faktin se njeriu nga natyra është fetar; – se ai u krijua për të qenë fetar dhe se pa fe ai nuk mund të jetë në gjendje të jetojë jetën siç duhet.
Për sa i përket fesë së lindur te njeriu Shën Joan Gojarti thotë: “Që në fillim Perëndia mbolli te njeriu njohjen e Tij, që në momentin që Perëndia e krijoi njeriun, Ai vendosi tek ai një dëshirë të zjarrtë për ta njohur dhe për tu bashkuar me Atë”. Prandaj me të drejtë njeriu quhet “qenie fetare” dhe “bimë qiellore”.
3. Kush është qëllimi i Fesë?
Feja ka një qëllim të shenjtë, shumë të lartë, dhe shumë të dobishme: domethënë njeriu, sado i vogël, i dobët dhe i mëkatshëm, mundet nëpërmjet saj të arrijë një bashkim të plotë dhe përfundimtar me Perëndinë, dhe me anë të këtij bashkimi realizon lumturinë dhe bekimin personal, – me të vërtetë, arrin hyjnizimin, të bëhet perëndi me anë të hirit, ashtu si na mëson besimi ynë i Krishterë. Dhe kështu, ndonëse shpirti i njeriut, është i pajisur nga hiri i Perëndisë me pavdekësinë, ai tashmë arrin bekimin e përjetshëm. Ai merr bekim dhe bekohet nëpërmjet Perëndisë. Por le ta shtjellojmë më tej për ta bërë më të qartë.
Njeriu nuk është i vet-krijuar as i pavarur. Ai nuk është as i vet-mjaftueshëm as i mëvetësishëm. Më saktë, njeriu është një krijesë, pjesë e krijimit të Perëndisë, një qenie e varur, Qenia e gjithë përsosur, i Cili i dhuron Atij ekzistencën dhe jetën. Për më tepër, njeriu ka shumë nevoja si materiale ashtu dhe shpirtërore. Është e pamundur për atë të jetojë nga vetja e tij dhe për të ecur përpara ashtu siç ai dëshiron. Kjo është e qartë prej dobësive dhe nevojave të shumta të përditshme të tij. Ai ka nevojë nga jashtë dhe veçanërisht nga sipër, nga Qiejt. Vërtet, duke pasur ndërmend se njeriu nuk është vetëm një krijesë jashtëzakonisht e vogël, i dobët brenda kësaj bote të madhe dhe këtij universi pakufi, dhe gjithashtu edhe për faktin se ai është mëkatar, i mbushur me pasione dhe të këqija, i torturuar nga brejtjet e ndërgjegjes, me zhgënjime dhe dështime të brendshme, shumë lehtësisht mund të kuptojmë se sa e domosdoshme dhe e madhe është nevoja që ka njeriu për të Gjithë-pushtetshmin dhe Perëndinë e shumë mëshirshëm. Pra vetëm në Perëndinë ne gjejmë qëllimin mirëdashës të Fesë dhe vetëm tek Ai gjen përmbushje qëllimi i Fesë. Feja e lidh njeriun me Perëndinë dhe e bën atë të varur drejtpërsëdrejti nga Perëndia. Njeriu e trashëgon fuqinë, paqen, mëshirën, mirësinë shpirtërore dhe materiale, shpëtimin, nga Perëndia. Prandaj njeriu, edhe më i keqi ndër të këqijtë, duke jetuar pranë Perëndisë, trashëgon nga Ai lumturinë dhe gëzimin e tij. Ky është qëllimi i Fesë. Kështu që është e qartë se njeriu nuk mund të bëjë pa Fenë.