/Besnikë deri në fund

Besnikë deri në fund

E DIELA E XXI Galatianëve 2, 16 – 20.

“Sepse nëse ndërtoj përsëri ato që prisha, bëj veten time ligjshkelës” v. 18.         

Orientim.

Këto fraza janë një vërejtje e mbushur me tragjedi. Ua tha apostull Pavli, të krishterëve Galatianë, në një epokë, që përpiqej të themelonte një rregull të qëndrueshëm jetese për të krishterët.

* * *

Të krishterët e Galatisë ishin fillimisht idhujtar, skllevër në mashtrime dhe besëtytni, larg Perëndisë së Vërtetë. I vizitoi shën Pavli, u mësoi ligjin e Perëndisë, i drejtoi te drita e besës së krishterë. Dhe, megjithatë, u lëkundën në besë, u ndikuan nga mësuesit e rremë, nga Hebrenjtë heretikë, që shtrembëronin mësimdhënien e Ungjillit dhe e luftonin shën Pavlin. I detyronin të pranojnë rrethprerjen dhe të ruajnë urdhrat liturgjike të ligjit të Moisiut, gjëra të cilat Zoti Krishti i zëvendësoi me Pagëzimin e shenjtë, misterin e Falënderimit hyjnor dhe misteret e tjera të hirshme. Ligjin etik të Moisiut e plotësoi me ligjin e Dhiatës së Re, siç përmendet në Ungjillin sipas Matheut kapitujt 5, 6 dhe 7. Për këto flet apostull Pavli në Letrën drejtuar Hebrenjve.

* * *

Profeti Moisi shkruan, konkretisht, në Ligjin e Përtërirë kapitulli 27 vargu 26: “Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t’i zbatuar në praktikë!”. Ungjillor Joani, na shpjegon në Ungjillin e tij të shenjtë kapitulli 1 vargu 17: “Ligji, që e shkelnin njerëzit, dhe nga kjo bëheshin fajtorë dhe të padenjë të marrin hirin e të qenit bij të Perëndisë, u dha nëpërmjet një njeriu dhe shërbëtori të Perëndisë, Moisiut; ndërsa Hiri, që zëvendësoi hijet dhe simbolet e ligjit, domethënë zbulimi i përsosur i së Vërtetës, që e çliron njeriun nga robëria e mëkatit dhe e ringjall, erdhi nëpërmjet Jisu Krishtit.”

* * *

Katandisja e të krishterëve Galatianë, është shumë didaktike. Tronditëse, do të thoshte dikush, për çdo të krishterë. Të vë në mendime serioze, mos bëhet dhe pësim i tij, katandisja e tyre; sepse rreziku të hijesohet besa, të ulet kujdesi, të dobësohet jeta shpirtërore dhe të bëhet kthim drejt mëkatit dhe mohimit, qëndron varur si shpatë gati për të rënë mbi kokën e tij. Prandaj dhe sot, shën Pavli, duke dashur të ruajë besimtarët e Galatisë nga një katandisje e tillë, shkruan: “Nëse ato që shkatërrova, të cilat i ndryshova nga ndërtesa, në godina të padobishme dhe pa rëndësi, i ndërtoj përsëri, e bëj veten time ligjshkelës”. Le të kujtojmë pamjen e njohur, që përdor vet Apostulli dhe që e kemi përmendur shpesh herë në vende të tjera.Sipas asaj, i krishteri është një tempull i gjallë i Perëndisë. Nëse, pra, besimtari, njeriu i rilindur, është tempull i Perëndisë, ai që ka rënë në mëkat, çfarë është tjetër, veçse tempull i djallit? Si ndërtohet tempulli i djallit? Me veprat, ndjenjat dhe mendimet e mëkatit. Dhe si ndërtohet tempulli i Perëndisë?Fryma e Perëndisë, si fillim na kërkon të shembim tempullin e djallit me kazmën e pendimit, dhe në vend të tij të ndërtojmë tempullin e Tij, duke jetuar sipas dëshirës së Tij të shenjtë. Apostull Pavli u referohet atyre njerëzve, që e njohën dritën e Krishtit. U futën brenda rendit të ndriçuar. U penduan për jetën e tyre të mëparshme, që ishte e errët dhe mëkatare. E pastruan shpirtin dhe mendjen nga çdo gjë, që kishte mbetur nga jeta e tyre e mëparshme, mëkatare. Ndjenë, në vazhdim, emocionet e thella, që dhuron Krishti tek besimtarët dhe pasonjësit e Tij të nxehtë. Ecën në rrugën e jetës së bukur dhe krijuese dhe ndjenë të vërtetën e fjalëve të Zotit, se: “Zgjedha ime është e mirë, dhe barra ime është e lehtë” Matheu 11, 30. Dhe, ndërkohë, që shpirti i tyre kishte fituar në luftën kundër mëkatit dhe kishte ngritur brenda tyre flamurin e virtytit, atëherë ndodhi diçka e tmerrshme. Kthim tek të vjetrat.E quajtëm diçka të tmerrshme. Dhe është. Mendoni një shpirt, që është i veshur me rrobën e bardhë, të cilën e pastroi me shumë mundim dhe luftëra, dhe papritur ta marrë këtë rrobë vezulluese dhe ta njollosë ai vetë, ta grisë, ta hedhë në rrugë. A nuk është tragjike?Kjo ndodh edhe me shpirtin, që rikthehet në zakonet e vjetra, në jetën e mëkatit dhe të prishjes. Ato që dikur i kishte urryer, si të dëmshme dhe mëkatare, tani përsëri i përqafon, përsëri i mbledh pranë tij dhe fillon t’i dojë dhe t’i jetojë. Dhe ndërkohë, që më parë i kishte hedhur poshtë dhe i kishte shndërruar në rrënoja, tani fillon, përsëri të ndërtojë ato vjetërsira të ndotura, të neveritshme.Kishte ndaluar dehjen, lojën me letra, shpërdorimin, jetën e pandershme, që i shkatërruan shëndetin dhe karakterin. Tani fillon përsëri të njëjtat. Rikthehet tek miqtë e tij të vjetër, në vendet e shkatërrimit, tek personat e jetës së pandershme. Nuk kanë fuqi miqtë e tij të sinqertë, që i luten. Nuk e ndikojnë lotët e njerëzve të tij familjar, që i luten të mbetet në rrugën e Perëndisë. Me një vrull të stuhishëm sulet drejt tatëpjetës së mëkatit, i verbër dhe i shurdhër ndaj këshillave dhe rekomandimeve të të tjerëve.Përsëri në burg.Perëndia im! Si u bë kështu tani ky shpirt? Deri pak më parë, e shikoje dhe mburreshe. I ndriçuar, paqësor, fisnik, aktiv në të mirën, i kujdesshëm në të gjitha. Dhe sot! Brenda pak kohe, ndryshoi krejtësisht. Ku është ajo modestia dhe virtyti? Si u shndërrua kështu kjo qenie? Si u bë? Parapëlqeu errësirën në vend të dritës. Zgjodhi zinxhirin e djallit në vend të zgjedhës së lehtë të Krishtit. Këmbeu lirinë e jetës së krishterë, me burgun e mëkatit. Nuk u referohemi këtu atyre njerëzve, të cilët bëjnë gabime nga dobësia njerëzore, nga rrëshqitje në një moment pakujdesie. Këto gabime bëhen nga rrëmbimi; dhe Perëndia, kur sheh pendim të sinqertë, i fal. Janë fuqitë e së keqes brenda nesh, që na shtyjnë në shkelje. Është edhe djalli, armiku ynë i përjetshëm, që krijon ngasje dhe parapërgatit rënie. Të gjithë biem. Të gjithë bëjmë gabime të tilla. I krishterë nuk është ai, i cili nuk bie. I krishterë është ai që, kur bie ngrihet dhe nuk mbetet në baltë përgjithmonë.Apostull Pavli nuk u referohet, thjesht, atyre që bien në mëkat, por atyre, që, me vullnet, bëhen skllevër të djallit. Që me gjakftohtësi këmbejnë dashurinë e Krishtit me dashurinë e mëkatit. Mëkatoi edhe shën Pjetri. E mohoi Krishtin. Por, kur dëgjoi zërin e këndesit, kujtoi Mësuesin, u pendua, “qau me hidhërim”, dhe prandaj u fal.Për ata të ndriçuarit, që pastaj braktisën rrugën e Zotit, shkruan në Letrën drejtuar Hebrenjve: “Është e pamundur që, ata që u ndriçuan një herë dhe ndjenë shijen e dhuratës qiellore, dhe u bënë pjesëtarë të Shpirtit të Shenjtë, edhe ndjenë shijen e fjalës së mirë të Perëndisë, dhe të fuqive të jetës së ardhshme, edhe pastaj u rrëzuan, të përtërihen përsëri në pendim; sepse kryqëzojnë përsëri në veten e tyre të Birin e Perëndisë dhe e turpërojnë.”Hebrenjve 6, 4-6. Shën Pavli i madh dhe mësues i tërë botës dhe themelues i kishave, duke pasur parasysh këtë rrezik, thoshte: “Po mundoj trupin tim dhe e bëj skllav, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, unë hidhem poshtë.”. 1 Korinthianëve 9, 27

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!Nuk mjafton, që bëmë një fillim të mirë. Nuk mjafton,që përparuam në jetën e besës. Duhet të mbetemi përjetë të palëkundur në besim. Të përparojmë me qëndrueshmëri deri në fund në rrugën, që na vuri Perëndia. Dhe secilit, na thotë Zoti: “Vij shpejt, mbaje atë që ke” Zbulesa 3, 11, “Bëhu besnik deri në vdekje, dhe do të të jap kurorën e jetës”. Zbulesa 2, 10, Dhe ndaj të gjithëve ne thotë: “Atë që keni mbajeni deri sa të vijë” Zbulesa 2, 25. Amin. U bëftë.Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës† IGNATI