/Atributet priftërore dhe tendenca për përvetësim jo kanonik të tyre.

Atributet priftërore dhe tendenca për përvetësim jo kanonik të tyre.

Kisha e Krishtit në historinë e saj dy mijë e ca vjet është përballuar dhe përballet me sjellje, qëndrime, doktrina dhe koncepte, të cilat nuk përkojnë me përmbajtjen dhe misionin e saj. Ajo që ndoshta është më e shpeshtë dhe e dukshme, është tentativa e personave të ndryshëm të jashtëm apo të brenda saj, për të përvetësuar në mënyrë jo kanonike apo në mënyrë të paligjshme, sipas mënyrës së sotme të të shprehurit, atributet priftërore apo kryepriftërore të kishës. Ndërkohë që kanoni 1, për dorëzimin e episkopëve, edhe kanoni 2, për dorëzimin e priftërinjve, në Kanonet Apostolike, nuk e lejojnë këtë përvetësim jo kanonik të atributeve priftërore. Kanonet janë të qartë dhe nuk lënë dyshime. Ajo që ndoshta duhet kuptuar në këtë situatë është fakti se personat që tentojnë të përvetësojnë atributet priftërore, në mënyrë jo kanonike, nuk vuajnë nga padituria e kanoneve, por nga arsye dhe qëllime të tjera. Kështu personat që bëjnë këtë tentativë të tillë vendosin përballë tyre dy elementeve thelbësor, dëshirën e njeriut dhe kuadrin kanonik të Kishës. Kështu nga njëra anë është dëshira e njeriut për të qënë çfarëdo, qoftë dhe klerik, nisur prej interesave të tij, qofshin ekonomike, politike, shoqërore apo edhe personale dhe nga ana tjetër është në kuadrin kanonik për përmbushjen e kësaj dëshire. Kur një individ fiksohet në dëshirën e tij dhe anashkalon kuadrin kanonik kishtar për përmbushjen e kësaj dëshire, atëherë ai vendoset kundër jo vetëm Kishës së Perëndisë, por përballë Perëndisë. Thirrja e apostujve prej Jisu Krishtit (Mt. 4:18:22, Mt. 9:13), Dërgimi i 12 Apostujve (Mt.10:1:15), Pjesëmarrja e tyre në Darkën Mistike (Mt. 26:17-30), Marrja e Shpirtit të Shenjtë (Veprat e Apostujve 2:1-12) janë disa prej pasazheve, të cilat me kokëfortësinë e tyre tregojnë se atributi apostolik jepet nga Perëndia dhe bashkë me të edhe atributi priftëror, të cilin apostujt ja transmetuan episkopëve edhe ata priftërinjëve. Kështu që këto pasazhe edhe shumë të tjerë brenda Shkrimit të Shenjtë tregojnë se nuk mjafton vetëm dëshira për të marrë gradën priftërore, por duhet kuadri kanonik, i cili më shumë sesa një kufizues i jetës së Kishës është fuqizues, balancues, dhe gjallërues i jetës së saj. E them këtë pasi, më shumë sesa një dëshirë priftëria është një jetë e integruar shpirtërore, priftërore dhe pimantike, brenda trupit të Krishtit. Pra, një priftëri kanonike është një priftëri e cila ofron përpjekjen për të gjallëruar trupin e Kishës, anëtarët e saj, nën prezencën e Shpirtit të Shenjtë.
Kuadri kanonik i Kishës për priftërinë, është një kuadër, i cili analizon qëndrimet apo veprimet antikanonike, të cilat në thelb janë veprime, që shprehin dhe shpalosin egoizmin e sëmurë njerëzor. Pra, nga njëra anë është dëshira dhe nga ana tjetër shfaqet egoizmi, i cili jo vetëm e deformon dëshirën, duke mos e lënë në formën fillestare të saj, por e kthen në një fuqi përshtjelluese, torturuese dhe munduese për njeriun. Në këtë mënyrë njeriu bashkon dy elementë, dëshira dhe egoizmi, të cilat jo vetëm që në gjenezë nuk pajtohen midis tyre, por që kur bashkohen sjellin pasoja në shoqëri dhe sidomos tek personi, i cili i bashkon brenda tij. Egoizmi nuk është aspak një fuqi virtyti, por një fuqi frenuese dhe regresive tek njeriu. Madje kur egoizmi në udhën e tij gjen dhe interesin politik, ekonomik apo dhe dobësinë në karakter të njeriut, bëhet i rrezikshëm për shoqërinë dhe në veçanti për rrethin shoqëror të personit, ku dëshira, egoizmi dhe interesi janë bërë bashkë.
Në këtë mënyrë personi i gjendur brenda botës, por i zhvendosur në një realitet të ri, që sipas tij quhet shpirtëror dhe shenjtërues, por në thelb nuk është i tillë, përpiqet të përballet me Kishën e Perëndisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër të gjejë bashkëluftëtarë, të cilët ose janë të njëjtit karakter të deformuar ose kanë intresesa të përbashkëta. Në të dy rastet, ajo që e fillon dhe e udhëheq këtë është dëshira, e cila nuk mundi të gjente bashkëudhëtarë të saj durimin, besimin dhe dashurinë, por egoizmin dhe interesin e ngushtë personal. Dhe nuk është çudi që personat e udhëhequr nga dëshira, egoizmi dhe interesi i ngushtë personal, kur ligjërojnë, qëndrojnë shumë në këtë fjalë apo perceptime të këtyre fjalëve. Dhe po ashtu nuk është çudi, të cilët po këta persona kur flasin për durimin, besimin apo dashurinë ose i shmangen ose i kalojnë me shpejtësi këto fjalë, ashtu si ndodh me djallin prej temjamit.
Prifëria nuk është thjesht një dëshirë dhe për pasojë dëshira është e pamjaftueshme. Priftëria është dhuratë dhe dhurata nuk kërkon egoizëm dhe interes të ngushtë personal, pasi të dy këto nuk e lejojnë njeriun të shijojë dhe përjetojë dhuratën. E kundërta ndodh me personin që ka durim, besim dhe dashuri, pasi të tre këta komponentë e ndihmojnë njeriun jo vetë të gjej momentin e dhuratës, por ta shijojnë dhe ta mbajnë atë jetëgjatë deri në përjetësi.
Çdo njeri që kërkon dëshironë priftërinë e Perëndisë duhet t’i drejtohet Kishës së Perëndisë, e cila ka trashëgiminë apostolike të pandërprerë dhe që brenda saj jeton Hiri i Perëndisë. Perceptimi i Kishës si një institucion i zakonshëm, apo një institucion hyjnor, ku njerëzit mund ta përdorin për interesat e tyre të ngushta, është një përpjekje, e cila mund të krijojë disa plagë në gjirin e besimtarëve të Kishës. Por më shumë plagë zjarri krijojnë në shpirtin e atyre, që me tentativën për të rrëmbyer thëngjijtë e zjarrit nga temjatorja hyjnore, me vetëdije apo pa vetëdije përpiqen të tërheqin njerëz në humbje.
Thoma Çomëni, Pedagog në KU LOGOS