Atributet e Perëndisë
Perëndia ka shumë atribute që janë të ngjashme me natyrën dhe esencën e Tij sepse Perëndia nuk është komplekse, e përbërë nga pjesë të ndryshme, por e thjeshtë, dhe veçoritë që i atribuohen Atij nuk janë të ndara nga njëra tjetra, por përbëjnë një të vetme, duke shfaqur madhështinë e paarritshme të esencës dhe lavdisë së Perëndisë. Megjithatë, ne i veçojmë atributet e Perëndisë, jo se ato dallojnë njëra nga tjetra por që ne njerëzit t’i kuptojmë më mirë energjitë hyjnore nëpërmjet së cilave Perëndia i gjithnjë pushtetshëm dhuron të mira për ne. Dhe si mundet që ne t’i zbulojmë këto atribute të Perëndisë? Ne i zbulojmë ato, siç na thonë Etërit, duke hequr gjithë cenet nga gjërat njerëzore dhe duke shtuar çdo përsosmëri te gjërat hyjnore në nivelin më të lartë. Kështu ne themi:
1) Perëndia është i kudondodhur. Kjo nënkupton se Perëndia është i pranishëm kudo. Nuk ekziston asnjë pjesë e krijimit që të mungojë prezenca e Perëndisë. Perëndia sheh dhe mbikëqyr gjithçka: çdo gjë të dukshme dhe të padukshme, të prekshme dhe të paprekshme, atë që mund dhe nuk mund të perceptohet nga sytë tanë, duart tona, veshët dhe shqisat tona, madje edhe ato mendime që mendja jonë nuk mund t’i mendojë por që ekzistojnë dhe lëvizin brenda pranisë së Perëndisë. Perëndia është i pranishëm tek të gjitha gjërat, madje dhe tek më të fshehtat, dhe më të panjohurat dhe më të mistershmet. Nuk ekziston asnjë vend ose gjë jashtë pranisë së Perëndisë. Veshi, syri, dhe dora e Perëndisë i percepton të gjitha, dhe asgjë nuk mund të fshihet prej Tij. Ashtu si Shkrimi na thotë: “ Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t`i japim llogari”.
2) Perëndia është i gjithëditur. Dhe natyrisht për shkak se Ai është i kudondodhur, Ai i di të gjitha, siç kemi thënë, dhe rrjedhimisht Ai është i gjithëditur. Ai i di të gjitha gjërat jo si të shkuar dhe të ardhme, por si gjithmonë të tashme. Përse? Sepse Perëndia është i përjetshëm, dhe koha nuk ekziston për Të. Nuk ka të shkuar dhe të ardhme për Atë, vetëm të tashme. Për shkak se te Perëndia nuk ekziston e djeshmja dhe e nesërmja, por vetëm e sotmja. Kështu Ai i di të gjitha gjërat si të tashme, si të ndodhnin këtu dhe tani, si ato gjëra që ndodhën shekuj më parë ashtu dhe ato gjëra që do të ndodhin në të ardhmen më të largët dhe të patregueshme. Me fjalë të tjera, Perëndia i di të gjitha gjërat përjetësisht, përsosmërish dhe drejtpërsëdrejti. “Ai sheh qartazi dhe me thjeshtësi si të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen para se të nisin” dhe para se të ndodhin. Siç na thotë dhe Shën Joan Gojarti: “Ai i parashikon me një shikim të shpejtë të gjitha gjërat së bashku dhe secilën më vete”.
Shënim: Në lidhje me gjithëditurinë e Perëndisë, ka shumë njerëz që duke dashur të justifikojnë veprat e tyre të këqija dhe duke bërë “shfajësime të mëkatshme”, thonë se gjithëdituria e Perëndisë kufizon lirinë tonë dhe kështu ata mbrohen me idenë se ne nuk mund të bëjmë asgjë tjetër përveçse atë që gjithëdituria e Perëndisë na ka paracaktuar. Për shembull (ata thonë) Perëndia parashikon që unë do bëhem hajdut, dhe për këtë arsye unë bëhem hajdut, vrasës, batakçi, pa dashur të bëhem, por sepse Perëndia kështu e parashikoi dhe e paracaktoi. Sa arsyetim i pamend! Çfarë blasfemie! Unë nuk bëhem i keq ose i ndyrë sepse kështu e paracaktoi dhe e parashikoi Perëndia, por për shkak se unë, me dëshirën time kështu doja të bëja dhe të bëhesha. Shën Joan Damaskinoi shprehet në lidhje me këtë: “Paranjohja e Perëndisë…. nuk është shkaku i ndodhive (zhvillimeve) të gjërave, ndonëse Ai parasheh që ne do bëjmë këtë ose atë”. Me fjalë të tjera, ne nuk bëjmë gjëra që dëshirojmë për shkak se jemi të detyruar nga paranjohja e Perëndisë, por për shkak të pëlqimit tonë, me gjithë lirinë tonë, dhe për shkak se kështu dëshirojmë për të bërë këtë ose atë, të mirën ose të keqen, Perëndia e di qysh më parë. Dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi plotësisht përgjegjës për veprimet tona. Në këtë mënyrë Shën Joan Damaskinoi vazhdon: “pra, ajo që ne bëjmë, nuk ka Perëndinë si shkakun e saj, por vullnetin tonë të lirë, jo sepse Perëndia kështu dëshiron por për shkak se ne dëshirojmë. Shkaku i veprimeve tona është vullneti ynë i lirë”.
3) Perëndia është i përjetshëm:
Përjetësia është një tjetër atribut i Perëndisë. Perëndia nuk varet nga koha në asnjë kuptim dhe nuk kufizohet nga ajo, por është koha që kufizohet dhe varet nga Ai. Ai nuk mund të kufizohet me 100, 1000 apo 1.000.000 vite. Perëndia është mbi dhe përtej kohës. Ai është Zoti dhe Mjeshtri i kohës. Për këtë arsye Ai është pa kohë të caktuar, i përjetshëm, përherë i njëjtë, i pandryshueshëm dhe i pafund. Ai nuk ka as fillim dhe as fund. Këtë nënkupton fjala i përjetshëm. Engjëjt dhe njerëzit janë gjithashtu të përhershëm sepse megjithëse ata kanë një fillim – ekzistonte një kohë që ata nuk ekzistonin por erdhën në ekzistencë dhe u krijuan – ata nuk kanë fund. Ata janë pa mbarim. I përjetshëm nënkupton gjithashtu: përherë i njëjtë, që nuk ka as fillim dhe as fund. Në lidhje me esencën, ky term nënkupton se kurrë nuk ndryshon por qëndron gjithmonë i njëjtë dhe i pandryshueshëm. Këtë nënkupton dhe Psalmisti kur thotë: “Qysh në fillim themelove tokën edhe qielli është vepër e duarve të Tua. Këto do të mbarojnë ndërsa Ti mbetesh në përjetësi, gjithçka do të vjetrohet si petku. Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken, kurse Ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë – vitet e Tua kurrë nuk kanë të sosur”(Psalmi 101: 26-28). Dhe në Psalmin 89: 2, 4 ai thotë: “Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia. Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë”. Domethënë, koha është e papërfillshme për Perëndinë, dhe nuk ka asnjë domethënie dhe efekt mbi Atë. Ashtu si Perëndia është përtej hapësirës në gjithëpraninë e Tij, po kështu Ai është përtej dhe jashtë kohës në lidhje me përjetësinë e Tij. Kështu në Librin e Zbulesës thuhet se Perëndia është: “Ai që ishte, që është dhe që do të vijë” (Zbulesa 1:4), Ai që ekziston, dhe që gjithmonë ka ekzistuar dhe do të ekzistojë dhe do të vijë të gjykojë botën. Brenda kontekstit dhe kuptimit të përjetësisë ekziston gjithashtu atributi i pandryshueshmërisë së Perëndisë, që e prekëm pak më sipër dhe që do ta shpjegojmë tani gjerësisht.
4) Perëndia është i pandryshueshëm:
Ai kurrë nuk ndryshon. Ai kurrë nuk mund të ndryshojë nga i pavdekshëm të bëhet i vdekshëm, as nga i mirë të bëhet i keq, nga i drejtë të bëhet i padrejtë, nga i dhembshur të bëhet zemërgur, nga njeridashës të bëhet çnjerëzor. As nuk mund të imagjinojmë ndonjë faj te Perëndia, as nuk mund të themi se Perëndia gaboi dhe më pas u pendua. Domethënë, Ai ndryshoi mendjen, natyrën dhe sjelljen e Tij. Ai mbetet përgjithmonë i njëjtë në përjetësinë e Tij, esencën e Tij dhe shenjtërinë e Tij. Shkrimi i Shenjtë flet për pandryshueshmërinë e Perëndisë kur thotë me fjalët e Shën Jakovit , se në Perëndinë, Atin e Dritave “nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakovi 1:17). Nuk ka as ndryshim në mendimet dhe vendimet e Tij, as modifikim ose ndryshim në lëvizjet e Tij siç ndodh me hijen e gjërave që lëvizin dhe ndryshojnë, ashtu si dielli dhe hëna. Perëndia mbetet i pandryshueshëm. Kështu citon Psalmi 101: 26-27 që përmendëm më sipër.
Por dikush mund të shpreh argumentin e mëposhtëm: A është Perëndia plotësisht e pandryshueshme? Përse atëherë qëndrimi i Tij është i ndryshëm drejt së mirës dhe së keqes? Përse Ai zëmërohet me njeriun e keq dhe e ndëshkon atë ndërsa tregon dashamirësi dhe bekon njeriun e mirë? Ja një ndryshim i sjelljes ndaj njërit dhe ndaj tjetrit. Dhe përsëri si ka mundësi që kur ne mëkatarët pendohemi Ai pendohet gjithashtu dhe nuk na ndëshkon ashtu si ia kërkon drejtësia e Tij? Përse Ai tha para përmbytjes që u pendova që krijova njeriun, duke qenë se njeriu shfaqi një shthurje aq të madhe, ndërsa pas përmbytjes Ai tha se kurrë nuk do ta shkatërronte më botën me anë të përmbytjes? Dhe përsëri në rastin e Ninivesë, Ai i tha Profetit Jona se do ta shkatërronte atë qytet me gjithë banorët e tij, megjithatë kur qyteti u pendua, Perëndia gjithashtu u pendua dhe nuk e shkatërroi atë (Jonai 3:10). Shihni sesi Perëndia ndryshon. Shihni sesi Perëndia i ndryshon emocionet, vendimet, opinionet dhe veprimet e tjera. Pra ku është pandryshueshmëria e Perëndisë? Ja përgjigjja: Në të vërtetë Perëndia mbetet e pandryshueshme në të gjitha atributet e saj. Ky koncept që Perëndia ndryshon është një koncept njerëzor, është një tezë njerëzore. Ne si qenie të papërsosura, që vazhdimisht ndryshojmë mendimet dhe ndjenjat, i perceptojmë dhe i kuptojmë energjitë e Perëndisë si të ndryshueshme, ashtu si ne e përshkruajmë Perëndinë me sy, me duar dhe këmbë, megjithëse Perëndia nuk i ka këto gjëra. Rreth kësaj Shkrimi i Shenjtë na thotë se: “Perëndia nuk është qenie njerëzore që të pendohet” por qëndron konstant dhe i pandryshueshëm në ato gjëra që Ai ka vendosur dhe ka thënë se do t’i bëjë, sepse Ai “nuk mund të mohojë Veten” (2 Timoteut 2:13). Shën Joan Damaskinoi shprehet gjithashtu se: “Hyjnia është e pandryshueshme ….. Të thuash që Perëndia pendohet është një shprehje njerëzore. Kur ne i japim dikujt një shumë parash dhe ai i përdor keq ato, ne pendohemi që ja dhamë. Kështu ne mund të themi se Perëndia duke krijuar njeriun dhe duke vajosur Saulin si mbret të Izraelit, dhe që të dy si njeriu i parë ashtu dhe mbreti Saul mëkatuan, u pendua për këtë; jo sepse u pendua Perëndia, sepse Ai e dinte se çfarë do të ndodhte me ta, por sepse ata bën veprime për të cilat duhej të pendoheshin.
5) Perëndia është i gjithëfuqishëm
Domethënë, fuqia e Tij është e pafund. Njeriu ka fuqi relative por kjo fuqi nuk ka vlerë, pavarësisht se sa e madhe mund të duket, sepse është e kufizuar, ndërsa fuqia e Perëndisë është e pakufizuar. Dhe Perëndia mund t’i bëjë të gjitha gjërat pavarësisht se sa e vështirë apo e pamundur mund të na duket ne. Ky është kuptimi i termit i gjithëfuqishëm. Ky term gjithashtu do të thotë se Ai është i Tërëfuqishëm (Pantokrator), Ai i mban të gjitha gjërat në duart e Tij dhe mbretëron mbi gjithçka , si në qiell ashtu dhe mbi tokë. Pushteti i Tij i pafund, tërëfuqishmëria e Tij, mund të shihen në krijimin e botës, të cilën e krijoi vetëm me anë të urdhëresës. Më tepër mund të shihet në shpëtimin e racës njerëzore, e cila, megjithëse ra në duart dhe në pushtetin e Satanait me anë të mëkatit dhe u ndëshkua me dënim të përjetshëm, Perëndia e shpëtoi duke shkatërruar vdekjen dhe duke shkelur Djallin me anë të Kryqëzimit dhe Ngjalljes së Birit të mishëruar. Gjithashtu, shfaqet në shumë mrekulli që bëri për shpëtimin e njeriut, dhe të cilën njeriu e dëshmon me nderim dhe madhështi duke thirrur: “ Sa madhështore janë veprat e Tua, o Zot” dhe përsërit fjalët e Ungjillit: “ajo që është e pamundur për njerëzit është e mundur për Perëndinë”(Mateu 10:27).Shkrimi i Shenjtë në shumë vende përmend tërëfuqishmërinë e Perëndisë. Kështu me habi dhe devocion të thellë Jobi i drejtohet Perëndisë: “E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet” (Jobi 42:2). Kryeengjëlli Gabriel i thotë Virgjëreshës Mari në ditën e Ungjillizimit, për t’iu përgjigjur kureshtjes së saj, sesi një e virgjër do të lindte një djalë: “Me Perëndinë asgjë s’është e pamundur” (Luka 1:37). Edhe Profeti Isaia për të faktuar tërëfuqishmërinë e Perëndisë pyet: “ Kush i ka matur ujërat me gropën e dorës, kush ka marrë përmasat e qiellit me pëllëmbë, kush ka mbledhur pluhurin e tokës në një masë apo ka peshuar malet me një peshore dhe kodrat e tyre me një kandar”? (Isaia 40:12). Kush në të vërtetë? Asnjë njeri. Vetëm Perëndia i tërëfuqishëm. Së fundi, për të demonstruar gjithëfuqishmërinë e pakufi të Perëndisë, Shkrimi i Shenjtë e quan Perëndinë “I Tërëfuqishëm” (Pantokrator), ashtu si ne në Simbolin e Besimit deklamojmë besimin tonë në Atin e Tërëfuqishëm (Pantokrator), dhe e quajmë Atë të frikshëm, të fortë, sundimtar dhe sovranin e gjithë pushteteve, dhe shumë shprehje karakteristike të tjera për të treguar tërëfuqishmërinë e Perëndisë. Për njeriun, shumë gjëra, praktikisht të gjitha gjërat, janë të pamundura. Për Perëndinë, asgjë nuk është e pamundur. Të gjitha gjërat janë të mundura për Atë. Por dikush mund të pyes: “A ka ndonjë gjë të pamundur për Perëndinë”? Po ka. Çfarë? Pavërtetësia dhe mëkati. Perëndia nuk mund të mëkatojë ashtu si ne njerëzit. Perëndia nuk mund të gënjejë ashtu siç gënjen Djalli, apo siç gënjejmë ne me nxitjen e Djallit. Perëndia nuk mund të mohojë Veten dhe të thotë se Ai nuk është Perëndia i vërtetë, Perëndia i Shenjtë dhe Zoti i të gjithave. Shkrimi i Shenjtë citon në mënyrë të qartë se “është e pamundur që Perëndia të gënjejë” (Hebrenjve 6:18) edhe Perëndia “mbetet besnik, sepse Ai nuk mund të mohojë Vetveten” (2 Timoteut 2:13). Ai nuk mund të mohojë Veten dhe të pohoj se nuk ekziston. Ai, Perëndia, duhet të theksojmë, mund të bëjë gjithçka, por Ai bën vetëm ato gjëra që i pëlqejnë. Ai dëshiron vetëm të mirën. Prandaj Ai bën vetëm të mirën. Siç na tregon edhe Shën Joan Damaskinoi: “Perëndia bën atë çfarë dëshiron, por nuk dëshiron të bëjë gjithçka që mundet; Ai mund të shkatërrojë botën, por nuk dëshiron ta bëjë”.
6) Perëndia është i gjithë-ditur
Ky atribut i Perëndisë është i pandarë nga tërëfuqishmëria hyjnore dhe është shprehje e tij. Ai është “ana praktike dhe etike e tërëfuqishmërisë së Perëndisë”. Çfarë është Gjithëdituria Hyjnore? Është tipari i Perëndisë për të zbuluar dhe përcaktuar mënyrat më të përsosura dhe më të mrekullueshme me anë të cilave arrihen qëllimet dhe synimet më të shkëlqyera të Tij. A ka ndonjë njeri aq të ditur sa Perëndia? Jo. As njeri as engjëll. Shkrimi i Shenjtë e quan Perëndinë “të vetmit Perëndi të ditur” (1 Timoteut 1:17) dhe në Letrën e Shën Pavlit drejtuar Kolosianëve lexojmë: “në Atë (Perëndinë) janë fshehur të gjitha gjërat e diturisë dhe të njohjes” (2:3). Solomoni i bekuar na thotë gjithashtu: “Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarsinë i bëri të qëndrueshëm qiejt” (Fjalët e Urta 3:19). Edhe mbreti David duke u mrekulluar me veprat e Perëndisë shpalli: ”Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua” (Psalmi 103:4). Së fundi, Shën Pavli thërret: “O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij! `Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?” (Romakëve 11:33-34). Me fjalë të tjera: Sa e madhe dhe sa e jashtëzakonshme është thellësia e urtësisë dhe diturisë së Perëndisë me anë të së cilës të gjitha gjërat komandohen deri në fundin e tyre! Çfarë thesari është njohja e Perëndisë! Sa të panjohura janë gjykimet dhe vendimet e Perëndisë për ne njerëzit! Kush ka mundur të kuptojë çfarë mendon Perëndia? Kush ka mundur të depërtojë në mendjen e Perëndisë për të ditur vendimet e Tij? Kush ka qenë ndonjëherë këshilluesi dhe udhëheqësi i Tij? Askush. Sepse të gjithë janë të pamend dhe të paditur, dhe se vetëm Perëndia është i tërë ditur dhe i tërë urtë. Edhe është e vërtetë që gjithëdituria e Perëndisë shfaqet në veprat e krijimit të Tij, si tek veprat e mëdha ashtu dhe te veprat më të vogla. Megjithatë, ajo shfaqet kryesisht në mënyrën me të cilën Ai shpëton njeriun mëkatar. Ai kombinon si drejtësinë ashtu dhe dashurinë e Tij me sakrificën e Kryqit të ofruar nga Biri i Tij Theantropik dhe në këtë mënyrë shpëtoi botën: një mënyrë e mrekullueshme për të arritur një qëllim të përkryer. Prandaj Apostulli e quan urtësinë e Perëndisë “të shumëllojshme”: “Që nëpërmjet Kishës” thotë ai “në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë” (Efesianëve3:10). Domethënë, nëpërmjet mënyrës me të cilën Perëndia shpëton njeriun mëkatar Ai e bëri të njohur urtësinë e Tij edhe tek engjëjt, një urtësi që është e shumëllojshme dhe e mprehtë. Ajo shfaqet në shumë forma dhe nëpërmjet shumë mënyrave. Edhe qëllimet, mënyrat dhe planet e urtësisë Hyjnore “janë gjëra të cilat engjëjt dëshirojnë t’i vëzhgojnë” (1 Petrit 1:12). Engjëjt qëndrojnë me frikë Perëndie, duke u mahnitur me mënyrat dhe planet e Perëndisë me anë të së cilave Ai e çon njeriun në pendim dhe shpëtim, edhe dëshirojnë t’i shohin dhe t’i vëzhgojnë këto gjëra, për të rrëmuar brenda tyre aq sa për të mësuar dhe kuptuar se çfarë është urtësia e Perëndisë dhe se sa e thellë dhe sa e mprehtë është ajo. Kjo është gjithëurtësia e Perëndisë dhe kjo është ajo çfarë nënkuptojmë kur themi se Ai është i gjithëditur.
7) Perëndia është i shenjtë.
Perëndia është i shenjtë, i Tërëshenjtë, dhe prehet ndër Shenjtorët. Çfarë nënkuptojmë kur themi se Perëndia është i shenjtë? Ne nënkuptojmë se Ai është i pastër dhe i çlirët nga çdo cen (papërsosmëri) moral dhe etik; se Ai është i huaj ndaj mëkatit; se Ai urren dhe përçmon të keqen, ligësinë dhe mëkatshmërinë, dhe do vetëm atë që është e mirë dhe e drejtë. Pra, Perëndia gjithmonë dëshiron të bëjë mirë dhe se Ai gjithmonë bën vetëm të mirën. Në shumë vende Shkrimi i Shenjtë lartëson shenjtërinë e Perëndisë dhe thotë se Perëndia është i shenjtë dhe është burimi i shenjtërisë. Profeti Isaia pa engjëjt që qëndronin rreth fronit të Perëndisë duke psalur: “Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Sabaoth, qielli dhe dheu janë plot me lavdinë e Tij” (Isaia 6:3). Perëndia e quan Veten të shenjtë dhe i fton njerëzit të bëhen të shenjt sipas shembullit të Tij: “Jini të shenjtë, sepse Unë Zoti juaj jam i shenjtë” (Levetiku 19:2). Edhe Apostull Petro na drejton ne të Krishterëve të njëjtën ftesë: “Po ashtu si është i shenjtë Ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj” (1 Petros 1:15). Duhet përmendur gjithashtu se edhe engjëjt janë të shenjtë, madje edhe njerëz janë bërë të shenjtë. Por shenjtëria e tyre arrihet nëpërmjet hirit të Perëndisë. Gjithashtu, shenjtëria e engjëjve dhe njerëzve nuk është veçse një hije në krahasim me shenjtërinë e Perëndisë e cila është e plotë, absolute dhe e pakrahasueshme. Prandaj shenjtëria e Perëndisë është gjithashtu burimi i shenjtërisë për krijesat e Tij. Kështu që askush, absolutisht askush, nuk është i shenjtë sa Perëndia. Kjo citohet qartazi në Shkrimin e Shenjtë: “ Sepse nuk ekziston asgjë tjetër më i shenjtë sesa Zoti, dhe nuk ka asnjë më të drejtë se Perëndia ynë; askush nuk mund të krahasohet në shenjtëri me Atë”. Ne jemi mësuar që ta thërresim Perëndinë që nga shekujt e parë, i shenjtë. “Shenjt Perëndi, Shenjt i Fuqishëm, Shenjt i Pavdekshëm mëshirona” dhe në Kishë ne psalim: “I Shenjtë është Zoti, Perëndia ynë; Lartësoni Zotin Perëndinë tonë, dhe faljuni nënkëmbëses së këmbëve të Tij, se është i shenjtë”.
8. Perëndia është i drejtë
Prej shenjtërisë së Perëndisë buron drejtësia e Tij. Një element i domosdoshëm i shenjtërisë së Tij është drejtësia e Tij. Perëndia është i drejtë për shkak se Ai është i shenjtë. Padrejtësia është në të vërtetë një vepër e keqe. Edhe meqenëse Perëndia e urren dhe e neverit të keqen dhe nuk e toleron në asnjë mënyrë atë, Ai është i drejtë dhe nuk e toleron padrejtësinë. Prandaj Shkrimi i Shenjtë thotë: “Zoti është i drejtë, Ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e Tij” (Psalmi 10:7). Ai (Shkrimi i Shenjtë) gjithashtu citon se “Perëndia është një gjykatës i drejtë” dhe “i drejtë në të gjitha format”, i drejtë në gjykimet e Tij, në vendimet e Tij, në gjithë veprat e Tij. Gjithashtu drejtësia e Perëndisë ka dy aspekte. Aspekti i parë është që Perëndia është një ligjvënës i drejtë. Ai nuk vë mbi shpatullat e njeriut barrë të rëndë dhe të papërballueshme. Ai i dha ligje njeriut, dhe ligjet e Tij janë të drejtë. Ai nuk kërkon gjëra të pamundura, por gjëra që janë të mundura, të lehta dhe të dobishme. Perëndia është i drejtë edhe ligjet e Tij janë të drejtë. Perëndia është gjithashtu një gjykatës i drejtë. Ky është aspekti i dytë i drejtësisë së Tij. Ai vëzhgon, mbikëqyr dhe vëren veprat dhe veprimet e njeriut. Edhe të gjitha këto Ai i gjykon me drejtësi, me objektivitet dhe në mënyrë të paanshme. Ai nuk favorizon askënd. Ai e gjykon njeriun sipas veprave të tij. Ai ndëshkon të keqen dhe padrejtësinë. Ai e shpërblen dhe e mbron njeriun e mirë dhe të drejtë. Në këtë jetë, drejtësia e Perëndisë shfaqet në veprim. Edh Ai gjykon, vendos drejtësisht dhe paraqet drejtësi ose duke ndëshkuar të keqen ose duke shpërblyer të mirën. Megjithatë, në botën tjetër, drejtësia e Perëndisë do të triumfojë plotësisht dhe Ai do t’i jap çdo njeriu atë që meriton, ‘sipas veprave’ siç kemi thënë, dhe ‘sipas veprimeve’.Njeriut të drejtë dhe të virtytshëm Ai do t’i falë jetën e përjetshme, njeriut të keq, dënimin e përjetshëm. Në këtë mënyrë do të rivendoset harmonia dhe ligji moral në botë.
9. Perëndia është i mirë, i tërë-mirë
Perëndia është i mirë, në të vërtet i tërë-mirë. Dhe Ai është kështu sepse Ai është dashuri. Shprehja dhe shfaqja praktike e dashurisë së Perëndisë drejt krijimit të Tij është mirësia e Tij. Perëndia është i mirë sepse Ai do. Ai është tërësisht dashuri, siç kemi thënë në pjesën ku kemi folur për dashurinë hyjnore. Edhe për shkak se Perëndia është i mirë, Ai shfaq dhe dhuron mirësinë e Tij mbi të gjithë botën, mbi të gjitha krijesat e Tij. Ky është kuptimi i mirësisë. Perëndia i ka të gjitha gjërat të mira si ato materiale ashtu dhe ato shpirtërore. Gjithashtu, mirësia është ai atribut dhe virtyt që ka Perëndia me anë të së cilës Ai nuk i mban vetëm për Vete dhuratat e Tij, por ia u dhuron ato krijesave të Tij. Edhe Perëndia gëzohet dhe lumturohet kur jep, kur bën mirë, kur dhuron me bujari dhuratat e Tij të pasura te të gjitha krijesat e Tij, dhe veçanërisht te njeriu, te të gjithë njerëzit; te besimtarët dhe të drejtët; tek të këqijtë dhe te mëkatarët. Ai nuk ka preferenca dhe nuk bën dallime. Ashtu siç pohon Zoti ynë në Ungjill, Perëndia është kaq i dhembshur dhe i dashur sa që “Ai bën të lindë diellin e Tij mbi të mirët dhe këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mateu 5:45). Edhe mirësia e Perëndisë dhuron dhuratat e Tij të pasura në botë për të bërë krijesat e Tij – dhe veçanërisht njeriun – të lumtur dhe të gëzuar, madje dhe në këtë jetë të tanishme, por në veçanti në jetën tjetër ku Ai i fton të bëhen pjesëmarrës të jetës dhe bekimit të Tij. Për këtë qëllim suprem Ai i dhuron njeriut dhuratat shpirtërore të Tij të besimit, lutjes, të së vërtetës, të njohjes së Ungjillit të Tij dhe hirin e Mistereve të Tij të Shenjta. Shkrimi i Shenjtë herë pas here tregon mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Psalmet thonë: “ Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi” (Psalmi 102:8). Prandaj Psalmisti duke iu drejtuar Perëndisë thotë: “Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë” (Psalmi 144:16). Perëndia dhuron me bollëk, me dorë të hapur. Perëndia hap dorën e Tij të dhembshur dhe shpërndan tek të gjitha krijesat dhuratat e Tij të pasura. Përse? Me qëllim që njerëzit të kenë mjetet e domosdoshme për të mbajtur veten e tyre. Kështu që “të gjithë presin që ti t`u japësh ushqimin në kohën e duhur” (Psalmi 103:28). ” Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij” (Psalmi 144:9) sepse Perëndia “u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Veprat 17:25). Ai ua jep dhuratat e Tij të bollshme gjithë krijimit, tek të gjithë, veçanërisht tek nevojtarët; “Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi” (Psalmi 111:9). Edhe kështu si vepron Perëndia, kështu veprojnë njerëzit që i përkasin Perëndisë, njerëzit e mirë. Këto fjalë të Psalmistit iu referohen gjithashtu atyre njerëzve që janë të mirë dhe të dhembshur. Edhe kjo mirësi e Perëndisë që shfaqet me kaq shkëlqim në të gjitha krijesat e Tij, në mënyrë të veçantë shfaqet tek njeriu, duke e mbrojtur atë nga e keqja, dhe duke e drejtuar drejt Parajsës. Kjo është edhe arsyeja, siç na e thotë vet Zoti ynë Jisu Krisht se “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të Vetëmlindurin, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16). Kjo sakrificë e Birit të Tij është shprehja dhe prova më e qartë e dashurisë, mirësisë dhe dhembshurisë së Perëndisë për njeriun.
10. Perëndia është besnik dhe i vërtetë
Kjo nënkupton se Perëndia posedon gjithnjë të vërtetën, ose më mirë, Ai është e Vërteta, dhe Ai e do të vërtetën dhe thotë të vërtetën tek të gjithë. Ai është besnik. Besnikëria nënkupton se Perëndia gjithnjë i qëndron Fjalës së Tij, dhe çdo gjë që Ai thotë dhe premton, Ai e përmbush dhe e zbaton me një rregull dhe një preçizion jashtëzakonisht të madh. Sepse Ai është e Vërteta dhe Fjala e Tij është e vërtetë dhe të gjitha premtimet realizohen, sepse Ai i ekzekuton ato. Zakonisht njerëzit gënjejnë dhe nuk e mbajnë fjalën e tyre, dhe i shkelin premtimet. Por Perëndia mbetet gjithnjë besnik. Ai quhet “Perëndia që nuk mund të gënjejë” “Perëndia i së vërtetës” sepse Fjala e Tij është e vërtetë. Prandaj ne njerëzit duhet të kemi besim të plotë në fjalët dhe premtimet e Perëndisë. Ne duhet të besojmë në mënyrë absolute që Ai do të jap të gjithëve atë që premtoi (bukën e përditshme, faljen e mëkateve – nëse pendohemi – dhe Mbretërinë e Tij Qiellore – nëse ne e dëshirojmë dhe përpiqemi dhe jemi të gatshëm për të zbatuar Urdhëresat e Tij të Shenjta. Edhe nëse ndonjëherë na duket se Ai po vonon në përmbushjen e premtimit të Tij, ne duhet të presim plotësimin e tyre me durim dhe shpresë, sepse Ai realisht do t’i përmbush ato, por gjithnjë në momentin më të përshtatshëm, me qëllim që të jenë të dobishme dhe të mos na dëmtojnë. Edhe diçka, ashtu si Perëndia Ati ynë është besnik në fjalën e Tij dhe në gjithçka që Ai bën, në të njëjtën mënyrë ne, bijtë e Tij, duhet të jemi besnik, të drejtë dhe të ndershëm.