Arkeologët zbulojnë gërmadhat e Sodomës – qytetit të humbur biblik që shkatërroi Perëndia
Një grup arkeologësh, të drejtuar nga prof. Steve Collins, kanë rënë në gjurmët e gërmadhave të dy qyteteve të lashta biblike, Sodomës dhe Gomorrës, të cilat u shkatërruan nga Perëndia.
Collins-i dhe skuadra e tij raportojnë se pas 10 vitesh kërkim dhe studim, kanë arritur të zbulojnë gërmadhat e qytetit biblik të Sodomës.
“Grupi ynë i arkeologëve zbuloi një mori strukturash të lashta monumentale si dhe objektesh të tjera, që dëshmojnë për ekzistencën e një qytet-shteti të gjendur në pjesën jugore të lumit Jordan. Zbulimi i takon Epokës së Bronzit, një periudhë kur shumë qytete të tjera të Tokës së Shenjtë ishin ose të braktisura, ose duke pësuar rënie” – u shpreh Collins-i.
“Përpara se ne të fillonim gërmimet, njohuritë për Epokën e Bronzit në këtë rajon ishin shumë të pakta. Madje shumica e hartave ishin pothuajse pa asnjë të dhënë. Ajo çka kemi mundur të zbulojmë janë gërmadhat e një qytet-shteti të madh, që më parë ka qenë tërësisht i panjohur nga zbuluesit”- tha ai, duke shtuar se ky zbulim duket se përshtatet me të gjitha përshkrimet e Sodomës së dikurshme, që tregohet në Bibël.
Sipas tij, duke krahasuar gërmadhat e qytetit të zbuluar së fundmi, me ato të qyteteve të tjera përreth, “figuron se zbulimi i fundit i afrohet më tepër përshkrimit të qytetit të Sodomës, që sipas Shkrimit të Shenjtë, u asgjësua nga Perëndia me zjarr të rënë nga qielli, për shkak të paudhësisë së banorëve të tij”.
Secili kriter i qytetit, siç përshkruhet në Bibël, përshtatet plotësisht me këtë zbulim.
Sodoma dhe Gomorra përmenden tek libri i Gjenezës, në Librin e Urtësisë si dhe në Dhiatën e Re, dhe qëkurse u shkatërruan, janë bërë sinonime dhe shprehje të mëkatit.