/Arkeologët gjejnë prova të pushtimit të Izraelit nga Babilonasit

Arkeologët gjejnë prova të pushtimit të Izraelit nga Babilonasit

Arkeologët gjejnë prova të pushtimit të Izraelit nga Babilonasit

Duke gërmuar në Malin Sion në Jerusalem, arkeologët kanë zbuluar të dhëna të pushtimit Babilonas, siç dëshmohet edhe në Shkrimet Biblike, ku flitet për rrënimin e këtij qyteti.

Akademikët e Universitetit të Karolinës së Veriut gjetën prova të rëndësishme, si p.sh. depozita të hirit, pjesë shigjetash dhe copa të thyera enësh apo llambash.  Megjithatë, sipas studiuesve, gjetja më e veçantë mbetet një aksesor që ngjan me një vath me një pjesë të sipërme në formë kambane.

Zëvendës-drejtori i Universitetit përgjegjës për projektin në fjalë në Malin Sion, Shimon Gibson, pohon se gjetja e këtij sendi të rrallë dëshmon për një shtresë elitare në Jerusalemin e dikurshëm, përpara shkatërrimit, pikërisht sipas përshkrimit biblik.

Historianët thonë se sendet e gjetura në vetvete nuk mund të llogariten si prova të një pushtimi të hershëm, por të gjendura së bashku në një vend në atë formë përbëjnë prova të rëndësishme.

“Për arkeologët, një shtresë hiri mund të nënkuptojë gjëra të ndryshme”- tha Gibsoni -“mund të jetë një grumbull hiri i hequr nga stufa apo vend i djegies së mbeturinave.

“Megjithatë, në këtë rast, gjetja në një vend e një grumbulli hiri, bashkë me copa shigjetash dhe një bizhuteri të veçantë dëshmon padyshim për një shkatërrim të hershëm. Nuk ka asnjë arsye që ndokush të hedhë një send të tillë me vlerë apo të mbajë shigjeta të mprehta nëpër shtëpi të tyre”.

Vendi ku u gjetën sendet në fjalë jep të dhëna të mëtejshme. Sipas Gibsonit, arkeologët e dinin se deri ku vinte muri i dikurshëm rrethues, pra janë në dijeni se gjetjet janë brenda qytetit.

Majat e mprehta të shigjetave të gjendura përdoreshin rëndom në shek. 7-6 p.K. nga ushtarët babilonas.

Meqë për këtë periudhë (587-586 p.K.) ky ishte i vetmi rrënim i madh i Jerusalemit, vërtetohet se ishin pikërisht babilonasit që e pushtuan.

Sendet artizanale të gjetura, si copëzat e thyera të enëve prej balte apo llambat tipike të larta i ndihmuan studiuesit të përcaktonin më saktë kohën që i përkasin. “Janë gjetje tipike të një shtëpie të shkatërruar pas ndonjë sulmi apo beteje”- shtoi Gibson.

Rafi Lewis, bashkëdrejtues i projektit, pohoi se gërmimi i një vendi të tillë historik është shumë emocionues, aq më tepër duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të ngjarjes së pushtimit të Jerusalemit nga Babilonasit.

Zbulime në fjalë hedhin dritë mbi një ngjarje thelbësore për historinë e popullit hebre.

Gjatë rrënimit total të qytetit, të kryesuar nga mbreti Nabukodonosori II, pati shumë humbje njerëzish. U shkatërrua gjithashtu edhe Tempulli i Solomonit, për të cilin tregohet në Librin e Dytë të Mbretërve, në Dhiatën e Vjetër.

Burimi : https://edition.cnn.com/travel/article/jerusalem-mount-zion-babylonian-conquest-evidence-intl-scli/index.html?fbclid=IwAR1bU5N9C9g4I82pxnHf9GN1D2-8zqApWHwdcwa2W1Jr3pSmj5iCaqYPRc0