/Aktivitet me grupet rinore, i pranishëm Imzot Andoni

Aktivitet me grupet rinore, i pranishëm Imzot Andoni

Me bekimin e Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andonit, u zhvillua një aktivitet për anëtarët e grupeve rinore orthodhokse të Elbasanit, Gjinarit, Zavalinës dhe Librazhdit. Mbledhja së bashku e grupeve rinore është bërë traditë në Mitropolinë Elbasanit, në mënyrë që të rinjtë të njihen me njërit-tjetrin dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe kështu të krijojnë miqësi edhe me grupet e tjera rinore.
Ky aktivitet gjithashtu u zhvillua edhe në kuadër të mbylljes së një projekti një vjeçar në bashkëpunim me organizatën World Vision, Albania. Programi përfshinte lutje, biseda shpitërore dhe sociale. Disa nga anëtarët e grupeve rinore, që largohen këtë vit me studime të larta në qytete të tjera, u vlerësuan për shërbimin që kanë ofruar në enoritë dhe në komunitet e tyre. Ata u vlerësuan me çertifikatë për ndjekjen e programeve shpritërore dhe sociale duke përfunduar kurrikulën “Qytetari Aktiv” të modulit “IMPACT club”. Gjatë aktivitetit, të rinjtë ndanë momentet e tyre më të veçanta që kanë përjetuar gjatë këtyre viteve. Ata theksuan aftësitë, sjelljet dhe njohuritë që ata kanë fituar edhe që nëpërmjet këtyre aktiviteteve kanë njohur më tepër Perëndinë dhe ndihen të bekuar që janë rritur shpirtërisht pranë Kishës Orthodhokse.
Nuk munguan falenderimet dhe mirënjohjet e tyre për ata që kanë mundësuar zhvillimin e programeve shpirtërore dhe sociale. Të rinjtë do të vazhdojnë të kultivojnë shoqëri dashurie në Krishtin, të bashkuar me përkushtim, për të sjellë ndryshim dhe përmirësim në shoqëri si dhe në komunitetet ku jetojnë. Të rinjtë falenderuan Kryepiskopin Anastas dhe Mitropolitin e Elbasanit, Imzot Andonin, për të gjitha mundësitë, aktivitetet dhe të gjitha sa krificat që Kisha Orthodhokse ka bërë për të rininë dhe jo vetëm.