Më 1 qershor 2023 mbushen 9 vjet nga shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Një përvjetor me domethënie të shumëfishta dhe gjithmonë aktuale. Së pari, është rikthimi në qendër të kryeqytetit i “syrit” shpirtëror orthodhoks, nga ishte shkulur me përdhunë nga regjimi ateist. Së dyti, është fakti se kjo ditë është afirmimi përfundimtar dhe më i qartë i rikthimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale në gjirin e Kishës Orthodhokse të përbotshme, si e barabartë mes të barabartëve. Këtë e dëshmoi pa asnjë mundësi ekuivoku pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore e të gjitha Kishave të tjera Orthodhokse. Shërbesat u kryesuan nga Patriarku Ekumenik, Vartholomeu, në bashkëmeshim me Fortlumturitë e Tyre, Patriarkun e Jerusalemit, Theofilin; të Serbisë, Irineun; të Rumanisë, Danielin; Kryepiskopin e Qipros, Krisostomin; të Athinës Jeronimin, Kryepiskopin e Tiranës, Anastasin; Kryepiskopin e Varshavës, Savën. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve të Aleksandrisë, Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë. Gjatë saj Patriarku Ekumenik do të afirmonte se: “Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri… Për ata që nuk besojnë te Jisu Krishti ngjallja duket si mit. Por, nga përvoja e shenjtorëve, ne kemi përvojën e Ngjalljes, e cila është edhe realiteti, dhe përvoja jonë biomatike. Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes, përbën sot një provë, se Ngjallja është realiteti, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet“. Së treti, ajo është dëshmi e gjallë e arritjeve të jashtëzakonshme të Kishës sonë Orthodhokse, në këto vite ringjalljeje të mrekullueshme dhe të paprecedent nga gërmadhat, që i dedikohet veprës së jashtëzakonshme të Kryepiskopit Anastas. Së katërti, Kompleksi i Katedrales është një vepër madhështore arkitektonike dhe artistike. Kujtojmë këtu mozaikun gjigant, afresket e paraklisit “Ngjallja e Krishtit”, apo salla e madhe e shfaqjeve, e cila është bërë një zgjedhje ndër zgjedhjet e preferuara për veprimtaritë artistike dhe jo vetëm të kryeqytetit. Madje Kompleksi është bërë një nga pikat e “detyrueshme” të turistëve që vizitojnë Tiranën. Për të kujtuar këtë ditë historike, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit u mbajt një Liturgji Hyjnore panegjerike. Ajo u krye nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit Asti. Ishte i pranishëm edhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi. Nderonte edhe me pjesëmarrjen e tij Mitropoliti i Kitrus dhe Katerinis, Hirësia e Tij, Jorgji. Në të bashkëmeshuan edhe klerikë të Kryepiskopatës. Episkop Asti lexoi për të pranishmit fjalën e mbajtur nga Kryepiskopi Anastas ditën e shenjtërimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, më 1 Qershor të vitit 2014.
Në fund, duke iu drejtuar të pranishmëve, Mitropoliti Nikolla uroi për këtë përvjetor të 9-të të shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”
***
Çfarë është inagurimi ose shenjtërimi i Kishës? Nga Dr. Thoma Shkira.
Shenjtërimi i kishave si objekte të adhurimit hyjnor është i njohur dhe i dëshmuar që herët në Krishtërim. Vetë prezenca e Perëndisë në atë çka ne e quajmë shtëpia e Zotit shenjtëron elementet e natyrës, objektin e kishës dhe besimtarët që ndodhen në të. Kisha si tërësia e besimtarëve, pas periudhës së përndjekjeve (64-313), ndërtoi haptazi mbi tokë kishat e saj dhe nëpërmjet mbledhjes së klerit dhe popullit, me madhështi dhe entuziazem, me pjesëmarrjen e shumicës së episkopëve dhe besimtarëve, shenjtëroi dhe kreu inagurimin e tyre siç ndodhi me kishat dhe bazilikat në Jerusalem (335), në Antioki (341), si dhe në kishën e njohur të Shën Sofisë në Konstandinopojë.
Etërit e kishës si shën Qipriani, shën Athanasi i Madh dhe shën Grigori i Nisës na dëshmojnë se sherbesa e inagurimit të kishës përmban mjaft himne, lutje dhe lexime të veçanta por gjithë rëndësia ka të bëjë me shenjtërimin e altarit apo tryezës së shenjtë. Në këtë altar Kryeprifti vendos lipsanet e shenjta të martireve nëpërmjet një rregulli liturgjik. Çdo mjet, çdo lëvizje, dhe çdo objekt i përdorur për shenjtërimin ka simbolikën dhe rëndësinë e vet teologjike.
Sot shenjtërimi i kishës kryhet me paraprirjen e shërbesës së mëngjezores, kryerjen e litanisë së lipsaneve të shenjta nga kryeprifti, vënien e tyre në altar, larjen me ujë të shenjtë erëmirë dhe lyerjen me miro të shenjtë të altarit (simbol i varrit të Krishtit). Me pas vendosja e katër pëlhurave në cepat e tryezës, të cilat simbolizojnë katër ungjillorët, na kujton qëndrimin e tyre tek Froni i Perëndisë. Gjithashtu vendosja e një nënmbulese mbi to, e cila quhet katasarkion, simbolizon copën ose rizën që Josifi mbështolli trupin e Jesuit per ta kallur ne varr. Pastaj, nga kryeprifti shkruhet me shkop monograma e Jesu Krishtit e cila përbëhet nga germat kapitale të emrit të Tij, X dhe P dhe germat alfa dhe omega qjqëanë tregues se Krishti është i pari dhe i fundit. Këto në formën e kryqit në të katër anët e kishës dhe pasi kryhet digjet dyllë dhe liban dhe kisha spërkatet brenda dhe jashtë saj.
Rëndësia teologjike e shenjtërimit të kishës nëpërmjet lipsaneve të shenjta të martirëve është se kjo traditë dymijëvjeçare në kishën tonë është tregues se kemi të bëjmë me një kishë të gjallë .Tradita në Krishtërimin e hershëm të meshimit në varret e martireve kur ishin të fshehur në katakombe, ndërtimi i kishave mbi varret e martirëve, dhe prezenca e lipsaneve të martirëve në tryezën e shenjtë të kishave shfaq dukshëm nderimin e tyre si shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë dhe tregon se shenjtërimi është qëllimi i Kishës dhe i çdo besimtari. Shenjtorët janë shembull dhe arritje e këtij qëllimi.
Ato nderohen si dhe gjatë litanisë së tyre duke u mbajtur nga kryeprifti në Diskun e shenjtë të Meshës Hyjnore, vërtiten prej tij dhe nga gjithë kortezhi kler dhe popull tre here rreth kishës që po shenjterohet sepse janë dëshmi e arritjes së këtij qëllimi prandaj përdoren si mjet shenjtërues duke i vendosur në çdo tryezë të shenjtë. Sinodi i shtatë Ekumenik (787) në kanonin e tij të shtatë përcaktoi: “ Sa tempuj të nderuar që nuk u inaguruan me lipsane të shenjta martirësh, urdhërohet të vendosen lipsane me lutjen e njohur. Cilido prift që meshon në tempull pa lipsane të shenjta, zhvishet, sepse nuk zbaton traditën kishtare”.
Pasi janë kryer rregullat kishtare të shërbesës së inagurimit të Kishës duke u alternuar me himne dhe psalme posaçërisht të kësaj shërbese kryhet liturgjia e parë panegjirike me një entuziazëm dhe një pompozitet të veçantë sepse u shtua dhe një tempull i cili shenjtëron besimtarët që do të jenë të pranishëm në të.
Ta gëzojmë Katedralen!