30-VJETORI I NISJES SË NJË MREKULLIE QË ASKUSH NUK MUND TA IMAGJINONTE
Sot, më 16 korrik, bëhen 30 vjet nga një ngjarje shumë e rëndësishme për ringjalljen e Kishës sonë pas persekutimit të egër ateist. Më 16 korrik 1991, zbriti për herë të parë në “Rinas”, i pritur ngrohtësisht nga një grup besimtarësh orthodhoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera, Ekzarku i Patriarkanës Ekumenike, Kishës mëmë që kishte dhënë autoqefalinë, Mitropoliti i Andrusës dhe Kryepiskop i Kishës Orthodhokse në Kenia, Ugandë dhe Tanzani, teologu dhe misionari i njohur në gjith botën, Fortlumturia e Tij Anastasi.
Që nga ai çast do të niste një rrugë e vështirë, plot me të panjohura e sfida. Në vendin tonë nuk kishte kisha dhe kishin mbetur vetëm disa klerikë të shkuar në moshë. Gjithashtu, mungonin objektet administrative, nuk kishte prona dhe as të ardhura, nuk ekzistonte mbështetje financiare nga askush, as nga shteti.
Por kjo ditë do ishte nisja e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, që askush nuk mund ta imagjinonte – nisja e një ringjalljeje shpirtërore dhe materiale. Ashtu si shkatërrimi i Kishës ishte më i madh se kudo tjetër në botë, i pamasë ishte edhe Hiri për të ringritur gjithçka nga e para. Madje, pas asaj dite nisi ringritja e objekteve të kultit, godinave administrative, shkollave për formimin e klerikëve e katekistëve, siç Kisha jonë nuk i kishte pasur asnjëherë në historinë e saj. Edhe më shumë akoma, ai dha një kontribut tepër të madh për të gjithë vendin me veprimtarinë sociale dhe mundësitë e punësimit që krijoi për qindra e mijëra njerëz, që ndihmoi qenësishëm ekonominë.
Ky rrugëtim nuk ka mbaruar, ai vazhdon me vrull ngjitjen nga viti në vit, duke garantuar një të ardhme të sigurt të Besimit Orthodhoks. Dhe brenda kësaj ecjeje do kujtohet gjithmonë edhe 16 korriku, si një pikënisje jo vetëm e një ringritjeje, por e një mrekullie të njohur mbarëbotërisht.
Ja si i kujton ato ditë vetë Kryepiskopi ynë, Anastasi:
VIZITA E PARË DHE UDHËTIMI NË SHQIPËRI
Pritja e rezervuar nga orthodhoksët si në aeroport, ashtu edhe në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, ishte paskale dhe prekëse. Me llambadhe të ndezura, i gjithë populli psalte i përlotur troparin “Krishti u ngjall!”. Në aeroport ishin të pranishëm edhe prifti romano-katolik i Tiranës, atë Zef Pllumi, dhe përfaqësuesi i Bektashinjve, të cilët mbajtën edhe fjalën e rastit. Nuk kishte ardhur asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare.
Në Tiranë qëndrova gjashtë javë (16 korrik – 27 gusht), i shoqëruar fillimisht nga profesor G. Papazahu (deri më 5 gusht 1991) dhe atë Gjeorgjios Leonardhos (deri më 10 gusht 1991) e në vazhdim (nga 10 gushti 1991) nga hieromonaku Dhimitër Sinaiti dhe nga mjeku Pan. Mavrudhi. Gjatë kësaj kohe, vizituam 30 qytete dhe fshatra (ku gjenden qendrat dhe vatrat kryesore të Kishës Orthodhokse), duke meshuar e predikuar gjithmonë fjalën hyjnore, duke kryer efqeli dhe ajazma, duke biseduar kryesisht me priftërinjtë dhe këshillat kishtarë lokalë e duke transmetuar përherë bekimet e Tërëshenjtërisë së Tij fort të Hirshme, Patriarkut Ekumenik, z.z. Dhimitër.
GJATË QËNDRIMIT TONË NË TIRANË
Gjatë qëndrimit tonë në Tiranë, synuam nga njëra anë të komunikonim me grigjën orthodhokse dhe, në veçanti, me Këshillin Kishtar dhe intelektualët e rinj dhe, nga ana tjetër, të vendosnim kontakte me faktorët politikë dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare.
a) Kontakte me orthodhoksët
Të shtunën, më 20 korrik, të kremten e Profetit Ilia, u zhvillua Liturgjia e parë Hyjnore në kishën katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë me pjesëmarrjen e shumë njerëzve. Ishte Liturgjia e parë arkihieratike pas përndjekjeve shumëvjeçare. Të nesërmen (e diel, 21 korrik), po në këtë kishë, u krye një Liturgji Hyjnore solemne. Fjala përshëndetëse u mbajt nga teologu i respektuar, profesor Dhimitër Beduli, i cili ka qenë drejtor i Shkollës Hieratike dhe i periodikut “Jeta kristiane”, të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
Gjatë Liturgjive Hyjnore, që u kryen të shtunën dhe të dielën, transmetova uratat atërore dhe bekimet e Tërëshenjtërisë fort të Hirshme, Patriarkut Ekumenik Dhimitri, shpjegova qëllimin e misionit tim dhe predikova rreth Ungjillit të ditës. Vijuan pagëzime të 21 personave të moshave të ndryshme.
Pasdite, së bashku me profesorët Y. Popa dhe S. Qirko, vizituam Spitalin Nr. 1 të Tiranës, ku u pritëm nga drejtori, z. L. Ceka. Qëllimi i vizitës ishte të theksonim interesimin dhe përpjekjet e Kishës Orthodhokse për shëndetin e njeriut në tërësi. “Shpresojmë se do mundemi të dërgojmë nga Greqia një sasi të konsiderueshme ilaçesh. Tashmë janë kryer veprimet e duhura nga profesori shoqërues, z. G. Papazahu”.
Pasditen e së hënës, më 22 korrik, vizituam zyrat e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe diskutuam për shpërndarjen sa më të mirë të ndihmës së dërguar nga Kisha e Greqisë. Theksojmë se deri në këtë kohë ishin dërguar rreth 100 tonë ushqime.
Të martën, më 23 korrik, shkuam në Durrës. Përpara u kthyem në vendin e shkatërruar të Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit, qendrës së vjetër shpirtërore orthodhokse, bëmë lutje dhe predikuam. Në vazhdim, zbritëm në kishën nën rikonstruksion të Shën Gjergjit, e cila qe shndërruar në qendër bregdetare argëtimi dhe klub. Më pas, hëngrëm drekë me anëtarët e Këshillit Kishtar dhe diskutuam çështje të ngutshme të komunitetit.
Pas një mungese gjashtëditore (24-29 korrik), për shkak të vizitës në Korçë, të martën, më 30 korrik, bashkëpunuam me teologun Dhimitër Beduli dhe Kryetarin e Këshillit Kishtar të Tiranës, z. Aleko Dhima, për të shqyrtuar përfundimisht çështjet e Asamblesë së Parë të Përgjithshme Kleriko-Laike të Kishës Orthodhokse. Së fundmi, vizituam dy vende brenda në Tiranë për të vlerësuar përshtatshmërinë e truallit për ndërtimin e Shkollës Teologjike.
Të mërkurën në mesditë, më 31 korrik, nga Këshilli Kishtar i Kishës Orthodhokse të Tiranës u shtrua një drekë zyrtare për nder të Ekzarkut Patriarkal dhe të shoqëruesve të tij. Ndër të tjerë, ishte i pranishëm Nënkryetari i Qeverisë, z. Gramoz Ruçi, Kryetari i Partisë Demokratike, prof. dr. Sali Berisha, Kryetari i Partisë Socialdemokrate, prof. dr. Skënder Gjinushi, ambasadorët e Greqisë, z. St. Mallikurtis dhe i Rumanisë, z. G. Miku.
b) Asambleja e Parë e Përgjithshme Kleriko-Laike
Të enjten dhe të premten, në datat 1-2 gusht të këtij viti, u mblodh në kishën katedrale të Tiranës Asambleja e Parë e Përgjithshme Kleriko-Laike. Ishin të ftuar të gjithë klerikët dhe përfaqësuesit e të gjitha dioqezave kishtare. Merrnin pjesë në total 13 klerikë dhe 30 laikë nga katër episkopatat e vjetra: e Tiranës, Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës.
Gjatë punimeve të kësaj Asambleje të Parë Kleriko-Laike u diskutuan problemet bazike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: përgatitja e priftërinjve të rinj, ringritja e këshillave kishtarë, veprimet në lidhje me pasurinë kishtare, kthimi i kishave dhe i manastireve, botimet, shkollat kishtare, kurset e katekizmit orthodhoks etj. Në mungesë të episkopëve, u vendos që të caktoheshin, për një vit, katër Përfaqësues Arkihieratikë për episkopatat e vjetra. Konkretisht: për dioqezën e Tiranës, atë Gaqo Petro; për dioqezën e Korçës, atë Kristo Raci; për dioqezën e Be-ratit, atë Kozma Qirjo; për dioqezën e Gjirokastrës, atë Mihal Dako.
Së fundmi, u zgjodh, për një vit, Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili do të përfaqësonte në vijim Kishën Orthodhokse tek autoritetet vendore dhe do të vendoste për çështje bazike administrative të Kishës. Përbërja e Këshillit të Përgjithshëm Kishtar është kjo: Kryetar, Mitropoliti (atë kohë episkopi) i Andrusës, Anastasi, Ekzark Patriarkal; Nënkryetar I, atë Kristo Raci; Nënkryetar II, Sotir Bambulli; Sekretar i Përgjithshëm, Aleko Dhima; arkëtar, atë Kozma Qirjo; anëtarë, atë Gaqo Petri, atë Mihal Dako, Vangjel Capi dhe Alqi Jani. Këshilltarë të posaçëm të Ekzarkut Patriarkal: a) Për çështje teologjike dhe të arsimit, teologu Dhimitër Beduli; b) Për çështje shëndetësore e sociale, prof. Ylli Popa.
Asambleja e Përgjithshme vendosi t’i dërgonte Kreut të Respektuar të Kishës Mëmë, Patriarkut Ekumenik, një letër zyrtare, të cilën edhe e dorëzoi (dt. 10 gusht 1991) te personat kompetentë për të realizuar dërgimin e saj….
2. VIZITA NË DIOQEZAT ORTHODHOKSE
Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, vizituam të gjitha selitë episkopale dhe pothuajse të gjitha qytetet apo fshatrat, që dikur kanë qenë qendra të zonave arkihieratike. Duke pasur si bazë Tiranën, realizuam tri vizita. Shkurtimisht:
Udhëtimi i parë (24-29 korrik)
E mërkurë, data 24 korrik: Udhëtimi drejt Korçës, që zgjati disa orë. Pritje panegjirike nga mijëra njerëz të mbledhur në sheshin përpara godinës së mitropolisë, që së fundmi iu kthye Kishës, dhe kishës katedrale, e cila ishte shndërruar në muze. Dhoksologji, fjalim.
E enjte, data 25 korrik: Liturgji Hyjnore në fshatin Boboshticë. Kisha me piktura të bukura murale të shkollës maqedonase, ishte ruajtur si “monument kulture”. Në mbrëmje: Vizitë në kishën e Profetit Ilia në Korçë. Gjysma e godinës së kishës është kthyer (pjesa e përparme), ndërsa pjesa tjetër përdoret si depo e materialeve të telekomunikacionit. Bisedë me të pranishmit.
E premte, data 26 korrik, në Pogradec. Liturgji Hyjnore. Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses është përdorur prej vitesh si ofiçinë. Me nismën e këshillit kishtar, godina e kishës është pothuajse rikonstruktuar, por nga brenda është plotësisht e zhveshur. Takim me këshillin kishtar.
E shtunë, 27 korrik, në Voskopojë. Liturgji Hyjnore. Takim me këshillin kishtar.
E diel, 28 korrik: Liturgji Hyjnore në natyrë, në sheshin përpara godinës së mitropolisë dhe “Muzeut”, kishës së vjetër katedrale, për të theksuar shenjtërinë e vendit. Dorëzimi në dhjak i Joan Trebickës (38 vjeç), një njeriu shumë serioz e modest, sipas pohimit të orthodhoksëve të Korçës.
E hënë, dt. 29 korrik: Gjatë kthimit për në Tiranë, qëndrim për tri orë në Elbasan. Efqeli. Predikim…