Përbërja e njeriut
Njeriu përbëhet nga dy elementë: trupi dhe shpirti. Trupi është prej kësaj bote, material, dhe i nënshtruar ndaj prishjes, dhe si rrjedhojë i vdekshëm. Shpirti është frymor dhe jeta e tij nuk ndërpritet kurrë. Shpirti i jep jetë trupit, por vepron gjithashtu me trupin, dhe nëpërmjet trupit realizon veprimet e tij. Trupi është inferior, ndërsa shpirti në krahasim me të është superior. Kjo vërtetohet nga vet fjalët e Zotit tonë që lartësojnë vlerën e shpirtit që është pakrahasim më e lartë se ajo e trupit dhe se të gjitha gjërat e tjera materiale: “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humb shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?”(Marku 8:36-37). Megjithatë, pavarësisht kësaj, trupi, megjithëse material dhe që prishet (dekompozohet), ka një vlerë të jashtëzakonshme të atribuar nga Krishtërimi; ai konsiderohet tempulli i Shpirtit të Shenjtë dhe ruhet për ngjalljen dhe jetën e përjetshme kur të ngjallet përsëri dhe të ribashkohet me shpirtin e tij të pavdekshëm. Prandaj Apostulli pyet: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia”? (I Korinthianëve 6:19). Kështu që, vlera e trupit është e dukshme, duke qenë se ai merr një nder për të qenë një banesë e Perëndisë së Tërëlartë. Por gjithashtu sa të kujdesshëm duhet të jemi ne njerëzit për ta ruajtur atë të pastër dhe të panjollosur meqenëse ai mbart brenda tij, Perëndinë i Cili është i Shenjtë. Gjithashtu, është e përshtatshme që ai duhet të jetë i shenjtë dhe të qëndroj i shenjtë dhe i qashtër, duke qenë se megjithëse tashmë në këtë gjendje ai vdes dhe dekompozohet , ai do të ngjallet, siç e kemi thënë më sipër, në një jetë të re, të paprishëshme dhe të përjetshme. Veç kësaj, shpirti është i pavdekshëm dhe i ngjashëm me Perëndinë, dhe kështu që vlera e tij nuk mund të krahasohet me gjërat materiale. Por edhe trupi edhe ka një vlerë të jashtëzakonshme, gjithashtu, duke qenë se me anë të Shpirtit të Shenjtë ai shenjtërohet dhe bëhet tempulli i Tij dhe merr brenda tij, Trupin dhe Gjakun e Krishtit dhe ruhet për ngjalljen dhe jetën e përjetshme siç pohon Simboli i Besës sonë: “Pres ngjalljen e të vdekurve. Dhe Jetën e ardhshme të amshuar”.
Njeriu i parë si paraardhës i tërë racës njerëzore.
Të gjithë ne e dimë se në planetin tonë tokë, ekzistojnë shumë raca dhe gjuhë. Por kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ashtu si Dhiata e Vjetër na dëshmon, në kohët e hershme pas përmbytjes gjatë kohës së Noeut: “Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë” (Zanafilla 11:1). Në tërë tokën ekzistonte një racë njerëzish dhe të gjithë flisnin të njëjtën gjuhë. Por meqenëse më pas ata vendosën, nga arroganca dhe krenaria, të ndërtonin Kullën e Babelit me qëllim që të merrnin famë dhe nam, Perëndia ngatërroi gjuhën e tyre që ata të mos kuptonin dhe komunikonin me njëri – tjetrin, dhe kështu pengoi ndërtimin e kullës së tyre egoiste. Që nga ajo kohë njerëzit u shpërndanë në mbarë botën, dhe u bënë shumë raca që nisën të flisnin gjuhë të ndryshme. Kështu e gjithë raca njerëzore, e cila deri në atë kohë ishte e bashkuar, u nda në fise dhe kombe, dhe në gjuhë dhe breza të ndryshëm, me ngjyra të ndryshme, sipas kushteve klimaterike të vendeve në të cilët ata jetonin. Sigurish që kjo nuk do të thotë se raca njerëzore nuk është një racë e vetme ose që nuk ka një at dhe një paraardhës të vetëm. Të gjithë njerëzit, të bardhë dhe të zinj, lëkurë-kuq ose lëkur-verdhë; Aziatikë, Evropianë, Afrikanë dhe Amerikanë përbëjnë një racë të vetme njerëzore dhe kanë një at dhe paraardhës të përbashkët: njeriun e parë, Adamin, dhe prej tij ose më saktë prej çiftit të parë, Adamit dhe Evës, rrjedhin të gjithë. Me të vërtetë, prej këtij çifti të parë e kanë prejardhjen të gjithë njerëzit dhe të gjithë brezat, të gjithë kombet dhe të gjitha gjuhët. Kjo e vërtetë e madhe e fesë sonë shprehet qartazi nga Shën Pavli i cili thotë në Veprat e Apostujve: Perëndia “prej një njeriu krijoi mbarë gjininë njerëzore, që ta banonte mbarë sipërfaqen e dheut” (Veprat 17:26). Kështu që të gjithë njerëzit dhe të gjithë kombet janë të një gjaku. Ata janë pasardhës të të njëjtit at.