/đ…đąđ«đŠđžÌˆđ­đšđ«đžÌˆđ­ đšđ«đ­đĄđšđđĄđšđ€đŹđžÌˆ đ­đžÌˆ đ©đšđŻđšđ«đžÌˆđŹđąđŹđžÌˆ

đ…đąđ«đŠđžÌˆđ­đšđ«đžÌˆđ­ đšđ«đ­đĄđšđđĄđšđ€đŹđžÌˆ đ­đžÌˆ đ©đšđŻđšđ«đžÌˆđŹđąđŹđžÌˆ

ME RASTIN E 110-VJETORIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË
đ…đąđ«đŠđžÌˆđ­đšđ«đžÌˆđ­ đšđ«đ­đĄđšđđĄđšđ€đŹđžÌˆ đ­đžÌˆ đ©đšđŻđšđ«đžÌˆđŹđąđŹđžÌˆ
BabĂ« DudĂ« Karbunara (1842 – 1917) Lindi nĂ« Berat mĂ« 1842. Ai njihej ndryshe me emrin Jorgji Karbunara, por me tĂ« marrĂ« titullin BabĂ« nga bashkĂ«qytetarĂ«t e pĂ«rdorte dhe kur nĂ«nshkruante.
Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Kostandin Kristoforidhit. Shqiptarizmi i theksuar i tij ra në sy të turqve, të cilët më 1895 i dogjën shtëpinë në Berat. U angazhua në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz. Studimet e larta për kohën, i përfundoi në Itali, për italisht. Në dekadën e dytë të shek. XX, iu përkushtua hapjes së shkollave shqipe dhe mësimit të shqipes. Nga 1906 apo 1907, tek Hani i Xheblatit, Babë Dudë Karbunara me ndonjë tjetër u mësonin alfabetin shqip fëmijëve e të rriturve. Që në ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën një shkollë shqipe. Shkolla qe hapur në katin e fundit të një dyqani 3-katësh të Muharrem Libohovës (Rulit), shkollë të cilën e drejtonte me entuziazëm Babë Duda.
Si veprimtar i dalluar i rretheve patriotike, u zgjodh delegat i Beratit nĂ« Kuvendin e VlorĂ«s, ku si i tillĂ«, firmoi aktin e shpalljes sĂ« pavarĂ«sisĂ« me siglĂ«n “J. Karbunara”. Gjithashtu, u zgjodh anĂ«tar i PleqĂ«sisĂ«.
—-
Jani Minga, lindur nĂ« fshatin ShĂ«npjetĂ«r tĂ« Fierit. Arsimin e ndoqi nĂ« VlorĂ«. Jani Minga mori pjesĂ« nĂ« tĂ« gjitha kongreset arsimore. Ishte nismĂ«tar pĂ«r krijimin e klubit atdhetar “LabĂ«ria” mĂ« 1889 dhe i hapjes sĂ« shkollĂ«s sĂ« parĂ« shqipe nĂ« KaninĂ« mĂ« 1909, ndĂ«rkohĂ« hartonte edhe tekstet shkollore: “Abetare kombĂ«tare shqip pĂ«rgatitore”, “Abetare shqip kĂ«ndimore”, “GramatikĂ« e gjuhĂ«s shqipe” etj. NĂ« korrik 1911 mori pjesĂ« nĂ« Kuvendin e DrashovicĂ«s, nĂ« mbĂ«shtetje tĂ« Memorandumit tĂ« GĂ«rçës.
Më 1912-n Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë duke shkruar J. Minga. Atë kohë, me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj.
Dhimitër Berati lindi më 15 tetor të vitit 1888 në Korçë, ishte atdhetar, politikan e publicist.
PĂ«rfundoi nĂ« Rumani Fakultetin e Shkencave Politike dhe atĂ« Juridik. Pas vitit 1905 kthehet nĂ« Korçë, ku punon si mĂ«sues nĂ« shkollĂ«n e parĂ« shqipe tĂ« Korçës. AnĂ«tar i klubit patriotik “Dituria” tĂ« Korçës qĂ« nĂ« themelimin e tij mĂ« 1908. MĂ« 1908 merr pjesĂ« nĂ« Kongresin e Elbasanit, kurse mĂ« 1910 nĂ« Kongresin e DytĂ« tĂ« Manastirit. Nga tĂ« parĂ«t pjesĂ«marrĂ«s nĂ« mbledhjen e hotel “Kontinental” nĂ« Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisĂ« shqiptare tĂ« Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik tĂ« shpalljes sĂ« pavarĂ«sisĂ«, me siglĂ«n “D. Beratti”, nĂ« emĂ«r tĂ« kolonisĂ« sĂ« Bukureshtit. U emĂ«rua “drejtor i pĂ«rgjithshĂ«m” nĂ« gazetĂ«n e qeverisĂ« sĂ« VlorĂ«s “PĂ«rlindja e ShqipĂ«niĂ«s” dhe u zgjodh anĂ«tar i PleqĂ«sisĂ«. MĂ« 1913 sekretar i delegacionit shqiptar qĂ« udhĂ«ton nĂ« LondĂ«r, Paris, RomĂ«, etj. MĂ« 1913 administrator i spitaleve tĂ« vendit.
—-
DhimitĂ«r Mborja, anĂ«tar i shoqĂ«risĂ« “Dituria” tĂ« Korçës mĂ« 1908. Kryetar i shoqĂ«risĂ« patriotike tĂ« shqiptarĂ«ve tĂ« Bukureshtit. Boton e shpĂ«rndan programin e komitetit tĂ« fshehtĂ« “PĂ«r lirinĂ« e ShqipĂ«risĂ«â€. MĂ« 5 nĂ«ntor 1912 merr pjesĂ« nĂ« mbledhjen e Bukureshtit. MĂ« 28 nĂ«ntor 1912, firmon aktin e PavarĂ«sisĂ« me siglĂ«n “Dh Emmanuel” nĂ« emĂ«r tĂ« kolonisĂ« sĂ« Bukureshtit. NĂ« shkurt 1915 zgjidhet kĂ«shilltar pranĂ« shoqĂ«risĂ« sĂ« “Komunitetit Ortodoks Shqiptar tĂ« Bukureshtit”, e cila punonte pĂ«r tĂ« mbajtur njĂ« shkollĂ« nĂ« gjuhĂ«n shqipe.
—-
DhimitĂ«r Zografi lindi nĂ« Korçë mĂ« 1878. NĂ« fund tĂ« shek. XIX, sĂ« bashku me vĂ«llezĂ«rit, emigroi nĂ« Rumani. MĂ« 1906 merr pjesĂ« nĂ« themelimin e shoqĂ«risĂ« patriotike tĂ« shqiptarĂ«ve tĂ« Bukureshtit “Bashkimi-Unirea”. NjĂ« nga organizatorĂ«t e mbledhjeve qĂ« u zhvilluan nĂ« fillim tĂ« nĂ«ntorit 1912 nĂ« Bukuresht. Aty theksoi se patriotĂ«t “kanĂ« besim tĂ« plotĂ« nĂ« veprimin e Kombit shqiptar pas udhĂ«s qĂ« tregoi z. Ismail Qemal Beu e se kanĂ« pĂ«r tĂ« bĂ«rĂ« sa mundet me gjithĂ« shpirt e me tĂ« gjitha mĂ«nyrat pĂ«r shpĂ«timin e Atdheut” ( “ShqipĂ«ri` e Re”, KostancĂ«, datĂ« 29 nĂ«ntor 1929). U zgjodh delegat i kolonisĂ« shqiptare tĂ« Bukureshtit pĂ«r tĂ« marrĂ« pjesĂ« nĂ« shpalljen e PavarĂ«sisĂ«. MĂ« 28 NĂ«ntor 1912 firmos vendimin e PavarĂ«sisĂ« me siglĂ«n “Dimitri Zografi”. AnĂ«tar i PleqĂ«sisĂ«.
—-
Pandeli Cale (1879 – 1923) lindi nĂ« Korçë. Kreu Liceun Klasik Francez tĂ« AleksandrisĂ« nĂ« Egjipt. NĂ« vitet 1900-1904 punon nĂ« koloninĂ« e Bukureshtit. MĂ« 1904 kthehet nĂ« ShqipĂ«ri. BashkĂ« me Themistokli GĂ«rmenjin dhe Mid’hat FrashĂ«rin vuri bazat e Komitetit tĂ« FshehtĂ« Shqiptar nĂ« Selanik. Kryetar i shoqĂ«risĂ« “Banda e LirisĂ«â€ mĂ« 1908.
NĂ« shkurt 1909, sekretar i shoqĂ«risĂ« “Lidhja orthodhokse”. NĂ« kryengritjen e pĂ«rgjithshme tĂ« vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonĂ«s sĂ« Korçës. Merr pjesĂ« nĂ« mbledhjen e 5 nĂ«ntorit 1912 dhe si vetĂ«dashĂ«s shoqĂ«ron Ismail Qemalin pĂ«r nĂ« ShqipĂ«ri. MĂ« 28 NĂ«ntor 1912, si delegat i Korçës, firmos Manifestin e PavarĂ«sisĂ« me siglĂ«n “Pandeli Cale”. EmĂ«rohet MinistĂ«r i BujqĂ«sisĂ«, IindustrisĂ« dhe TregtisĂ«.
—-
Spiridon T. Ilo Lindi nĂ« Korçë nĂ« vitin 1876. NĂ« moshĂ« fare tĂ« re emigron nĂ« Bukuresht, Rumani. Aty u lidh me organizatat patriotike shqiptare nĂ« mĂ«rgim. NĂ« datĂ«n 5 nĂ«ntor 1912, Spiridon T. Ilo do tĂ« marrĂ« pjesĂ« nĂ« mbledhjen e mbajtur nĂ« hotel “Kontinental” tĂ« Bukureshtit, dhe tĂ« drejtuar nga Ismail Qemali. NĂ« kĂ«tĂ« mbledhje u vendos shpallja e pavarĂ«sisĂ« sĂ« ShqipĂ«risĂ«. Sipas informacionit tĂ« djalit tĂ« tij, Spiridon T. Ilo mori flamurin shqiptar qĂ« zbukuronte sallĂ«n dhe e solli atĂ« nĂ« VlorĂ«. MĂ« 27 nĂ«ntor 1912, ai qĂ«ndroi nĂ« shtĂ«pinĂ« e tezes sĂ« tij Marigo Pozio. Marigo Pozio i qepi kĂ«tij flamuri njĂ« radhĂ« thekĂ«sh dhe bĂ«ri disa ndryshime tek shqiponja. Ky flamur u ngrit nĂ« VlorĂ« mĂ« 28 NĂ«ntor 1912. Spiridon T. Ilo mori pjesĂ« nĂ« mbledhjen pĂ«r shpalljen e pavarĂ«sisĂ« si pĂ«rfaqĂ«sues i Korçës.
—-
Thanas Floqi lindi nĂ« Korçë mĂ« 14 janar 1884. Pasi pĂ«rfundoi gjimnazin nĂ« Misolongji tĂ« GreqisĂ«, vazhdoi studimet pĂ«r drejtĂ«si nĂ« Universitetin e AthinĂ«s, por kthehet nĂ« atdhe pa mundur t’i pĂ«rfundojĂ«. MĂ« pas migron nĂ« SHBA ku merret me veprimtari atdhetare, nĂ« shoqĂ«ritĂ« “Malli i MĂ«mĂ«dheut” dhe “Vatra”. MĂ« 1908 kthehet dhe vendoset nĂ« VlorĂ«, ku kontribuon nĂ« mbrojtjen e gjuhĂ«s shqipe dhe merret gjithashtu edhe me veprimtari nĂ« fushat e artit dhe muzikĂ«s. Hap shkollĂ«n e parĂ« shqipe tĂ« Fierit nĂ« Cakran. NĂ« VlorĂ« pĂ«rgatit sĂ« bashku me Marigo Pozion dhe Petro Fotografin bocĂ«n e flamurit tĂ« pavarĂ«sisĂ«. FirmĂ«tar i Aktit tĂ« PavarĂ«sisĂ« nĂ« VlorĂ«, 1912.
Pas shpalljes së pavarësisë, vazhdon të merret me aktivitete në shër-bim të çështjes shqiptare, si jurist për administratën, si përkthyes për Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit dhe si kryesekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Më 1913 vendoset në Elbasan ku bashkëpunon me Aqif Pashë Elbasanin dhe jep mësim në Normalen e këtij qyteti.
—-
Aristidh Ruci (1875-1950) lindi nĂ« Sheper tĂ« ZagorisĂ«, 9 vjet mĂ« vonĂ« se Andon Zako Çajupi nĂ« tĂ« njĂ«jtin fshat. Vijoi mĂ«simet nĂ« gjimnazin “Zosimea” nĂ« JaninĂ«. GjatĂ« fundit tĂ« shek. XIX dhe fillimit tĂ« shek. XX gjendet nĂ« JaninĂ«. Pas veprimtarisĂ« aty, vendoset nĂ« VlorĂ«, ku nĂ« vitin 1908 angazhohet nĂ« themelimin e klubit patriotik “LabĂ«ria”. Po atĂ« vit fillon pĂ«rpjekjet pĂ«r mĂ«simin e gjuhĂ«s shqipe te tĂ« vegjlit. Me armĂ« nĂ« dorĂ« merr pjesĂ« nĂ« kryengritjen e pĂ«rgjithshme mĂ« 1911. Si delegat i VlorĂ«s merr pjesĂ« nĂ« kuvendin qĂ« shpalli pavarĂ«sinĂ« dhe firmoi aktin me siglĂ«n “A. Ruci”. Mori pjesĂ« nĂ« LuftĂ«n e VlorĂ«s nĂ« vitin 1920.
—-
Elefter (Lef) Nosi u lind në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan. Njihet si babai i filatelisë shqiptare.
Lef Nosi u arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell të veçantë punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdheu i tij, qenë shtysat e forta që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Më 1902 shpëtoi pa u dënuar, sepse nuk iu provua fajësia. Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907.
MĂ« 1909, ai u zgjodh kryetar i klubit “Vllaznia” nĂ« Elbasan. Merr pjesĂ« nĂ« Kongresin e Manastirit. NjĂ« vit mĂ« vonĂ«, botoi gazetĂ«n “Tomorri” ku ka pĂ«rkrah AleksandĂ«r Xhuvanin, Luigj Gurakuqin, Simon Shuteriqin, Kristo Dakon (25 III 1910). Ai ishte njĂ« nga figurat qendrore qĂ« kontribuuan nĂ« organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor KombĂ«tar tĂ« Elbasanit (tetor 1909), si edhe tĂ« çeljes tĂ« sĂ« parĂ«s shkollĂ« normale nĂ« vend (1 dhjetor 1909).
Dy artikuj tĂ« pĂ«rkthyer nga shtypi evropian bĂ«hen shkak qĂ« turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dĂ«nimin kapital. Drejtori i ShkollĂ«s Normale u kap paraditen e 7 gushtit 1910 nĂ« Elbasan. KatĂ«r ditĂ« mĂ« vonĂ« dĂ«nohet nga njĂ« gjykatĂ« ushtarake dhe internohet nĂ« BursĂ« tĂ« TurqisĂ«. NdĂ«rkohĂ« qeveria e re e xhonturqve kishte nisur njĂ« fushatĂ« kundĂ«r çdo gjĂ«je qĂ« shprehte lĂ«vizje pĂ«r pavarĂ«si, sidomos ndaj atyre qĂ« shpreheshin nĂ« gjuhĂ«n shqipe. PĂ«rballĂ« kĂ«tyre sulmeve u gjend dhe Normalja e Elbasanit tĂ« cilĂ«n qeveria osmane e mbylli nĂ« tetor tĂ« vitit 1910. PĂ«rballĂ« kĂ«saj situate Fan Noli nga Bostoni i shkruante Lef Nosit nĂ« Elbasan qĂ« do tĂ« ishte mirĂ« dhe njĂ«kohĂ«sisht njĂ« goditje pĂ«r qeverinĂ« osmane qĂ« Normalja tĂ« transferohej jashtĂ« tokave shqiptare nĂ« ndonjĂ« shtet tĂ« EvropĂ«s.
Shkolla nuk u transferua jashtĂ«, por qĂ«ndroi mbyllur afro 18 muaj pĂ«r t’u hapur nga marsi i vitit 1912. PĂ«r rikthimin e tij nga internimi do tĂ« angazhoheshin pothuajse tĂ« gjithĂ« miqtĂ« e tij. Do tĂ« lirohej nga internimi 9 muaj mĂ« vonĂ« pĂ«r t’u gjendur pĂ«rsĂ«ri nĂ« Elbasanin e tij, nĂ« mesditĂ«n e 9 prillit 1911. Ishte nĂ«nshkrues i DeklaratĂ«s sĂ« PavarĂ«sisĂ« sĂ« ShqipĂ«risĂ« dhe anĂ«tar i kabinetit tĂ« Ismail Qemalit, si MinistĂ«r i Post-Telegrafit. Sipas arkivave tĂ« mbajtuna nga Qeveria e PĂ«rkohshme e VlonĂ«s, ishte njĂ« nga nismĂ«tarĂ«t themeltarĂ« pĂ«r vendosjen e njĂ« shĂ«rbimi informativ.
—-
Petro Poga lindi nĂ« Erind tĂ« GjirokastrĂ«s ku edhe ndoqi mĂ«simet e para. MĂ« pas shkollohet nĂ« Gjimnazin e JaninĂ«s dhe pastaj pĂ«r drejtĂ«si nĂ« Universitetin e Stambollit ku fitoi njĂ« kulturĂ« tĂ« gjerĂ«. Njihte mirĂ« disa gjuhĂ« tĂ« huaja si frĂ«ngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. NĂ« Stamboll bashkĂ«punoi me vĂ«llezĂ«rit Naim FrashĂ«ri, Sami FrashĂ«ri, Abdyl FrashĂ«ri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin KolonjĂ«n, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. NĂ« vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetĂ«n “Drita” tĂ« Stambollit, qĂ« mĂ« pas e vijoi botimin patrioti rilindas Pandeli Sotiri. Ne kujtimet e tij, Petro shkruan: “Fletorja ‘Drita’ e zgjoi idealin e shenjtĂ« kombĂ«tar dhe ndikoi pĂ«r çrrĂ«njosjen nga zemrat e shqiptarĂ«ve tĂ« mendimit qĂ« fetĂ« nuk e ndryshojnĂ« kombin, duke mos mundur tĂ« ndryshojnĂ« gjuhĂ«n dhe zakonet qĂ« formojnĂ« kombin.” NĂ« vitet 1906-1908, Petro Poga gjendet nĂ« GjirokastĂ«r ku dha ndihmesĂ«n nĂ« pĂ«rhapjen e gjuhĂ«s shqipe dhe ndjenjave kombĂ«tare. Roli i tij mĂ« i dukshĂ«m u shfaq nĂ« themelimin e klubit patriotik “Drita” tĂ« GjirokastrĂ«s.
NĂ« vitin 1912 Petro Poga mbĂ«shteti fuqimisht kryengritjen antiosmane tĂ« ShqipĂ«risĂ« sĂ« Jugut. NĂ« nĂ«ntor tĂ« vitit 1912, parĂ«sia e GjirokastrĂ«s e zgjedh delegat nĂ« Kuvendin KombĂ«tar tĂ« VlorĂ«s. Petro Poga bĂ«het kĂ«shtu njĂ« nga nĂ«nshkruesit e Shpalljes sĂ« PavarĂ«sisĂ« sĂ« ShqipĂ«risĂ« mĂ« 28 NĂ«ntor 1912. NĂ« mbledhjen e Kuvendit KombĂ«tar tĂ« VlorĂ«s, Petro Poga caktohet MinistĂ«r i DrejtĂ«sisĂ«, si pjesĂ« e qeverisĂ« sĂ« parĂ« shqiptare, post tĂ« cilin e mban deri nĂ« vitet ’20. Krahas kĂ«saj detyre, Ismail Qemali dhe Qeveria e VlorĂ«s e ngarkuan edhe me detyrĂ«n e Kryetarit tĂ« GjykatĂ«s sĂ« LartĂ« 1913-1915. SĂ« bashku me avokatĂ«t e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani harton Statusin qĂ« shkĂ«puti GjykatĂ«n Shqiptare nga juridiksioni i PerandorisĂ« Osmane.
—-
DhimitĂ«r Tutulani (1875-1937) lindur nĂ« Berat. PĂ«rfundoi gjimnazin “Zosimea” nĂ« JaninĂ« e mĂ« tej vazhdoi studimet pĂ«r jurist nĂ« AthinĂ«. Pas pĂ«rfundimit tĂ« shkollĂ«s, u kthye nĂ« Berat, ku filloi tĂ« punojĂ« si avokat. KĂ«tu ndihmoi lĂ«vizjen patriotike, duke u bĂ«rĂ« bashkĂ«punĂ«tor i veprimtarĂ«ve dhe idealeve kombĂ«tare. NĂ« nĂ«ntor 1912 u zgjodh delegat i Beratit nĂ« Kuvendin e VlorĂ«s, ku firmoi Aktin e PavarĂ«sisĂ« KombĂ«tare, me siglĂ«n “Dh. Tout”.
—-
Kristo Meksi (1849 – 1931) Ishte ndĂ«r themeluesit e shoqĂ«risĂ« shqiptare tĂ« Bukureshtit. MĂ« 28 nĂ«ntor 1906, nĂ« shtĂ«pinĂ« e tij zhvilloi punimet mbledhja e bashkimit tĂ« shoqĂ«rive “Dituria”, “Dibra” dhe “Shpresa”.
NĂ« krijimin e shoqĂ«risĂ« “Bashkimi”, 11 dhjetor 1906, u zgjodh njĂ«ri ndĂ«r drejtuesit e saj. NĂ« letrĂ«n qĂ« K. Meksi e R. Anastasi i shkruajnĂ« gazetĂ«s “Shpnesa e ShqypĂ«nisĂ«â€ nĂ« RaguzĂ« nĂ« shkurt 1907, mĂ«sojmĂ« se shoqĂ«ria “Bashkimi” kishte pĂ«r qĂ«llim “tĂ« shtypnjĂ« libra shqip, tĂ« ndihĂ« e tĂ« hap shkolla kombiare ndĂ« ShqipĂ«ri
”
MĂ« 5 maj 1907 ai nĂ«nshkroi deklaratĂ«n e themelimit tĂ« Komitetit “PĂ«r LirinĂ« e ShqipĂ«risĂ«â€ nĂ« Bukuresht me Pandeli Evangjelin, Bajo Topullin, Vasil Zografin dhe Veli bej KĂ«lcyrĂ«n. NĂ« vitin 1910 ai i dhuroi gazetĂ«s “Korça” shkronjat e shtypshkronjĂ«s.
NĂ« nĂ«ntor tĂ« vitit 1912 ishte ndĂ«r organizatorĂ«t e mbledhjes sĂ« Bukureshtit, ku morĂ«n pjesĂ« I. Qemali, L. Gurakuqi e atdhetarĂ« tĂ« tjerĂ«. Sipas Asdrenit nĂ« kujtimet e tij, K. Meksi nĂ« kĂ«tĂ« mbledhje tha: “Kemi besim e shpresĂ« tĂ« plotĂ« nĂ« veprimin e kombit shqiptar pas udhĂ«s qĂ« tregoi z. Ismail beu
” SĂ« bashku me delegatĂ«t e Bukureshtit udhĂ«toi drejt VlorĂ«s pĂ«r shpalljen e PavarĂ«sisĂ« KombĂ«tare, ku u zgjodh nĂ« PleqĂ«sinĂ« e Kuvendit.
Jani Papadhopulli ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare, i cili më vonë u zgjodh deputet i parlamentit shqiptar në vitin 1924.