Besimet Fetare Kundër Trafikimit Të Qenieve Njerëzore në Shqipëri
Një ekonomi pa përfitime nga trafiqet njerëzore
“Zoti na krijoi në shëmbëllim e në përngjasim me Të e ne jemi imazhi i Tij”
Tiranë, 8 Shkurt 2021
Sot në 8 Shkurt në ambientet e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë u zhvillua një Konferencë Kombëtare: Besimet Fetare Kundër Trafikimit Të Qenieve Njerëzore në Shqipëri – “Zoti na krijoi në shëmbëllim e në përngjasim me Të e ne jemi imazhi i Tij” organizuar nga Caritasi Shqiptar në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe me Dikasterin në Vatikan “Migrants and Refugees”.
Në këtë konferencë morën pjesë Krerët e Komuniteteve Fetare në vend, Nunci Apostolik Shkëlqesia e Tij z. Luigi Bonazzi, Përfaqësues shtetërore të institucioneve përkatëse, përfaqësues të Medias si dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kisha jonë, me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe I Gjithë Shqipërisë, z. Anastas u përfaqësua në këtë takim me klerikun e saj Atë Grigor Pelushi .
Të gjithë folësit e Institucioneve Shtetërore dhe fetare theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha instancave jo vetëm për të identifikuar viktimat e trafikimit të Qenieve Njerëzore por edhe për të trajtuar, kuruar dhe parandaluar këto plagë të mëdha që ka shkaktuar kjo e keqe e madhe për vendin tonë.
Në fjalën e tij, me temën “Mbrojtja e dinjitetit të njeriut nga çdo formë shfrytëzimi dhe abuzimi”, ndër të tjera Atë Grigori theksoi para të pranishmëve se: “Për të gjithë njerëzimin Ardhja e Shpëtimtarit Zotit Jisu Krisht, hapi një perspektivë të ndriçuar mbi ekzistencën njerëzore. Pikësht pra dhe Kisha na nxit që të bëhemi më të vetëdijshëm për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore, dinjitet që i është dhënë nga vetë Zoti.
Duhet të theksojmë se besimi i krishterë ngjall tek njeriu ndjenjën e vlerës së tij shpirtërore dhe morale. Në veçanti Teologjia Orthodhokse vë në pah lirinë dhe dashurinë. Dinjiteti personal i njeriut varet nga zhvillimi i këtyre aftësive shpirtërore.
Dinjiteti i krishterë shoqërohet me përulësi, falje, dashuri dhe përdëllim dhe me sigurinë se ajo që jemi nuk është arritje e jona, por e Hirit Hyjnor.
Kisha na fton të kuptojmë se dinjiteti është kryesisht një çështje e brendshme, e lidhur me thelbin e personalitetit njerëzor. Në të njëjtën kohë, kjo na frymëzon të bëhemi qeliza të gjalla të shoqërisë, duke luftuar për dinjitetin e çdo qenie njerëzore pavarësisht ngjyrës, racës, besimit dhe etnisë. Po e mbyll këtë tema me fjalët e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe I Gjithë Shqipërisë, z. Anastas: “Ku ka padrejtësi, le të bëhemi faktorë drejtësie; ku ka shkelje të të drejtave të njeriut, le t’u gjendemi të shtypurve. Ku ka përplasje, le të bëhemi faktorë paqeje. Ku ka dëshpërim, faktorë shprese. Ku ka skamje, le të nxitojmë me dashuri, me vepra; ku ka vetmi, le të japim një prani dashurie, aq më tepër sot, në kohët që po jetojmë”!
Në fund të takimit, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi i Metropolit Shkodër-Pult u ndau të gjithë të pranishmëve librin: “Orientime Baritore kundër trafikimit të Qenieve Njerëzore” botuar nën kujdesin e Arqipeshkvisë Shkodër-Pult.
Përgatiti: Nikolla Barkaj, Gazetar i Radio “Ngjallja”